Voton Valdete Daka: Në veri zgjedhjet do të zhvillohen si në gjithë vendin

Prishtinë | 22 Tet 2017 | 07:11 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik.

Pasi ka votuar ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin të votojnë. E para e KQZ-së  ka komentuar numrin e madh të policëve në veri të vendit, por sipas saj, kjo është normale për shkak të situatës në këtë pjese të vendit.

“Sot është një ditë e bukur, 22 tetori është ditë festë për Kosovën besojë se qytetaret do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë vote. Nga informatat që i kam çdo gjë ka qenë në rregull, të gjitha materialet janë nda me kohë, gjithçka është duke shkuar me rregull”, ka thënë Daka.

Daka shtoi se zgjedhjet në këtë pjesë të vendit do të zhvillohen si në gjithë komunat tjera dhe se ajo nuk pret që të ketë ndonjë incident, raporton Ekonomia Online.

“Nuk pritet asnjë skandal as në veriun e vendit, policia e Kosovës e ka planin e vet”, ka theksuar ajo

Në veri të Kosovës në ruajtjen e rendit dhe të qetësisë dhe vetë qendrave të votimit do të jenë të angazhuar më shumë se 400 policë.

Më shumë se 1 milion e 890 mijë qytetarë me të drejtë vote, do të kenë mundësinë që të votojnë të dielën, më 22 tetor, për kandidatët për kryetar të komunave dhe për këshilltarë komunalë.

Për këto zgjedhje lokale janë gjithsej 899 qendra votimi me 2 505 vendvotime, në 38 komuna të Kosovës.

Organizata të shumta vendore dhe ndërkombëtare kanë paralajmëruar se do ta vëzhgojnë nga afër procesin e zgjedhjeve lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues.

Numri i kandidatëve që janë certifikuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, është 7 091 kandidatë, prej tyre 6 887 janë kandidatë për Kuvende Komunale, ndërkaq 204 kandidatë janë në garë për kryetar komune.

 

Të ngjashme