Votuesit, vendvotimet, vëzhguesit – zgjedhjet e 6 tetorit në shifra

Prishtinë | 05 Tet 2019 | 20:27 | Nga Ekonomia Online

Të dielën, qytetarët në Kosovë shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të votuar për kuvendin e ri

Vetëm një ditë na ndan nga zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Këtë të diele, në Kosovë do të hapen dyert e 895 qendrave për votim, brenda të cilave do të jenë rreth 2000 vendvotime, raporton T7.

1 milion e 937 mijë e 868 votues do të kenë mundësi ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

Këtë të drejtë, ata mund ta shfrytëzojnë nga ora 07:00, deri në ora 19:00, në momentin kur edhe do të mbyllen dyert e këtyre qendrave.

Me anë të këtij votimi, qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin qeverinë e re.

Numri i subjekteve politike që do të jenë pjesëmarrëse në këto zgjedhje të parakohshme është 25.

Mes tyre, 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur. E këto subjekte politike janë shqiptare, serbe, boshnjake, turke gorane, ashkalinje, rome dhe egjiptiane.

Të gjithë këta po garojnë për 120 vende në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa në këto zgjedhje, postin e kryeministrit po e synojnë 7 kandidatë nga subjekte të ndryshme politike. 

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, kandidati  nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, Ndonëse kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kandidati i koalicionit Nisma – AKR – PD, Fatmir Limaj, nga koalicioni AAK – PSD kandidat do jetë Ramush Haradinaj, nga Partia Euroatlantike e e Kosovës me kandidat Milaim Zekën dhe nga koalicioni “Slobodna”, Nenad Rashiqi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për procesin e ri elektoral.

 Në këtë ditë do të jenë të angazhuar mbi 30 mijë vëzhgues, të cilët do të kontribuojnë në ruajtjen e votës.

Vendimi për këto zgjedhje të parakohshme në Kosovë është marrë për shkak të dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit.

Këtë vendim, Haradinaj e kishte marr pas thirrjes së Gjykatës Speciale, në cilësinë e të dyshuarit.

Të ngjashme