Vuçiç e akuzoi se është autore e “non-paper”-it, reagon diplomatja

Prishtinë | 29 Pri 2021 | 19:14 | Nga Ekonomia Online

Drejtorja Menaxhuese për Europë dhe Azi Qendrore brenda shërbimit diplomatik dhe ministrisë së kombinuar të jashtme dhe të mbrojtjes në Bashkimin Evropian Angelina Eichhorst, e ka mohuar për Albanian Post se është autore e “non paper” siç raportoj gazeta Kurir e afërt me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç të enjten.

“Publikimi natyrisht është marrëzi absolute. Delegacioni ynë në Serbi tashmë lëshoi ​​një mohim të fortë dhe Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell foli gjithashtu për këtë në konferencën për shtyp me Kryeministrin Kurti sot dhe e refuzoi atë vendosmërisht”, thuhet në përgjigjen e Eichhorst, pwr Albania post.

Në këtë përgjigje me shkrim për Albanian Post janë dërguar edhe citate të konferencës për media të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ka thënë se këto dokumente janë fantome.

”Duket sikur janë në modë. Nëse nuk ke ‘non-paper’ nuk je askush. Nuk kam marrë asnjë nga këto dokumente. Unë nuk punoj me ‘non papers’”, tha Borell.

”Për mua këto dokumente janë fantome, nuk janë të besueshme dhe kam shprehur shqetësimin se këto komente dhe lajme të rrejshme janë duke qarkulluar dhe ne nuk jemi duke bërë asgjë me to”.

“Më vjen vërtet keq që ka lajme të rreme dhe dezinformata që qarkullojnë rreth tyre”.

Po ashtu Borell ka kërkuar nga mediat siç ka thënë ai “të mos shpërndajë lajme të rreme që krijojnë telashe, që krijojnë një mjedis toksik”.

“Le të shohim problemet reale, duke hedhur letra në tryezë – në tryezën e dialogut, për shembull – në mënyrë që të jemi konstruktivë për gjëra serioze si këto”, ka thënë Borrell.

Por, ishte vetë Vuçiç, që kur u deklaruar për dokumentin, thoshte, me këmbëngulje, se atë e ka shkruar një grua – “shumë e zgjuar, dinake, dhe e me shumë njohuri për çështjet e Ballkanit”.

“Vetëm dikush që ka marr pjesë në takimet për Kosovën që nga fillimi dhe i cili kishte njohur fantastike për dialogun, mund ta shkruante atë me dinakëri”.

Siç dihet, Angelina Eichhorst, është përfshirë në dialogun e Brukselit për shtatë vjet, veçanërisht gjatë mandatit të shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Përshkrimi i saj punës përfshinte gjithashtu intensifikimin dhe shpejtimin e bisedimeve midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës në një përgjigje me shkrim për Albanian Post thonë se janë në një linjë me Gjermaninë edhe Francën sa i përket publikimit të një “non paper” të ri në media të hënën që flet për përmbylljen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe ambasada gjermane dhe ambasada franceze janë deklaruar për këtë dokument duke e demantuar dhe duke u distancuar nga ai. Nuk kemi çfarë t’i shtojmë më shumë deklarimeve të tyre”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Në këtë dokument shkruhet se në Kosovë do të krijohej një “distrikt autonom i Kosovës së veriut” sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Kisha Ortodokse Serbe do të këtë “status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të Marrëveshjes ligjërisht obliguese, obligohet se “nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme