Vuçiq: Do të përballemi me një periudhë më të vështirë se në vitet e 90-ta

Prishtinë | 04 Tet 2022 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se ka frikë që sërish po përgatitet beteja e Stalingradit, duke shtuar se “mbetet të shihet se kah do të jemi ne serbët”, dhe se Serbia ndoshta po përballet me periudhën më të vështirë, më të vështirë se ajo e viteve  të nëntëdhjeta.

“Kam frikë se vërtetë do të vijë beteja e Stalingradit, edhe më shpejt nga se pritej nga kushdo, dhe jam shumë i shqetësuar për rezultatin e kësaj beteje të Stalingradit, për herë të parë në histori, shumë më i shqetësuar duke ditur se çfarë po vjen nga njëra dhe ana tjetër, duke mos dyshuar në guximin e askujt, duke mos dyshuar në vendosmërinë e askujt”, ka thënë Vuçiq, transmeton Paparaci.

Dhe ka shtuar se, “mbetet të shihet se kah do të jenë serbët”.

“Mbetet të shihet se ku do të jemi ne serbët, çfarë do të bëjmë me veten, a do të arrijmë të ruajmë bregun e djathtë dhe të majtë të Danubit, për veten tonë për popullin tonë e jo për dikë tjetër, kjo duhet të jetë më e rëndësishmja dhe se me këtë zotim dhe amanet shikojmë nga e ardhmja”, ka pretenduar Vuçiq.

Sipas Vuçiqit, Serbia po përballet me periudhën më të vështirë, siç thotë ai, më të vështirë se ajo e viteve të nëntëdhjeta.

“Në fund do ta shihni se kush si do të sillet dhe me sa guxim do të marrin pjesë në këtë proces, e gjithë kjo, pavarësisht se çfarë vendimesh kemi marrë, nëse i kemi marrë, nuk do ta ndryshojë faktin se kam më shumë frikë se kurrë nga ajo që është përballë Serbisë”, ka thënë Vuçiq.

Të ngjashme