Vuçiq: Kurti kalkulues, vendosi për taksën para nisjes time në ShBA

Prishtinë | 28 Shk 2020 | 17:18 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, e ka quajtur si kalkuluese lëvizjen e djeshme të kryeministrit Albin Kurtit, i cili mori vendim për heqje të pjesshme të taksës 100 %, fillimisht për produktet bazë që importon Kosova nga Serbia.

Vuçiq thotë se në mënyrë taktike Kurti e ka marrë një vendim të tillë para nisjes në Washington.

“Një ditë përpara udhëtimit tim në Washington ai vendosi për taksën, në mënyrë që të mos e shtroja si problematikë atje”, ka thënë presidenti serb, duke thënë se vendimi i tij është një përpjekje për mashtrim.

Tutje kreu i shtetit serb ka thënë se Richard Grenell ka plotësisht të drejtë kur e kundërshton një vendim të tillë të Kurtit për heqje të pjesshme të taksës.

Përveç tjerash Vuçiq i ka bërë edhe një pyetje Kurtit rreth asaj se kush e ka këshilluar që ta marrë një vendim të tillë.

“A ishte ide e jotja, apo dikush të ndihmoi?”, ka pyetur Vuçiq.

Vendimi i Kurtit për heqje të pjesshme të taksës është mirëpritur nga BE’ja ndërkohë u kundërshtua nga emisari i presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell. (GE)

Të ngjashme