Vuçiq për dialogun: Fillimisht do të pres Lajçakun, do të shkojë në Moskë, e më pas në Uashington

Prishtinë | 15 Qer 2020 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sot ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, duke bërë të ditur edhe agjendën e tij para bashkimit në tryezë të serbëve dhe shqiptarëve.

Ai ka thënë se pas vizitës që i dërguari i BE’së, Miroslav Lajçak, do të ketë në Kosovë, më 22 qershor do të vizitojë Beogradin.

Pas takimit me të, një ditë më vonë, Vuçiq ka thënë se do të niset për një vizitë në Moskë, e më pas në Uashington dhe në disa vende të tjera, përcjell Reporteri.net.

Ai gjithashtu ka thënë se Serbinë e pret punë serioze për Kosovën, por gjithashtu se nuk ka parë ndonjë propozim.

“Me një politikë serioze dhe të përgjegjshme, ne kemi arritur që çështjen e Kosovës ta sjellim përsëri në tryezë, me ndihmën e fuqive të mëdha”, ka thënë Vuçiq.

Sikurse Serbia, edhe Kosova po bëhet gati për rifillimin e dialogut në mes të dy vendeve. Sot është zhvilluar një takim në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Avdullah Hoti, të cilët më pas në dy konferenca të ndara për media, deklaruan se janë pajtuar që të bashkëpunojnë, për të arritur që të nxjerrin rezultate sa më të mira nga ky proces.

Të ngjashme