Vuçiq: Mustafa nuk ishte në pjesën tonë të Trepçës

Prishtinë | 24 Tet 2016 | 22:47 | Nga

Në konferencën me gazetarët rreth “disa personave” të arrestuar në Beograd që punonin kundër shtetit të Malit të Zi dhe që e ndiqnin në hap kryeministrin e këtij vendi, Millo Gjukanoviqin, dhe për disa të tjerë që punonin për disa Ambasada të huaja, pa thënë për cilat, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, iu përgjigj edhe interesimeve të gazetarëve rreth vizitës së sotshme të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në Trepçë.

Në pyetjen se si e komenton faktin që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ishte në Trepçë, kryeministri serb ironizoi: “Hajt pyetni prapë se ku ishte Mustafa?” .

“Në Trepçë”, tha gazetari i AP-së.

Pastaj Vuçiq prapë pyeti: “Ku ishte?”

Fillimisht përgjigjja ishte – në fabrikë, ndërsa pas përsëritjes së pyetjes, përgjigjja ishte – në minierë.

“Do të thotë në Trepçë në pjesën jugore të Mitrovicës. Njerëzit ta dinë se nuk ishte në pjesën tonë”, tha kryeministri serb.

“Ka qenë në pjesën e cila qysh në vitet e nëntëdhjeta kontrollohet nga shqiptarët, ta sqaroj se nuk është shëtitur në pjesën tonë”, u shpreh Vuçiq.

“Se kur do ta vizitojë Trepçën në veri, nuk e di as vetë Mustafa… Parapëlqejnë t’ia “fusin kot” çdo ditë edhe ai edhe Edita Tahiri…”

Ndërkaq në pyetjen se si e komenton atë që tha Mustafa se për Trepçën do të bisedohet vetëm në Prishtinë, Vuçiq u përgjigj: “E po mirë, unë iu besoj, por do ta pyesja Mustafën se kur do ta vizitojë ai pjesën veriore të Trepçës?”

“Ne”, tha ai, “do të provojmë të bisedojmë për çdo gjë, dhe besoj se ata do të kuptojnë se nuk bëhet ashtu gjithçka me forcë, ashtu siç kanë planifikuar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme