Vuçiq tregon se çfarë i propozuan ndërkombëtarët si kompromis për atë që po ndodhë në veri të Kosovës

Prishtinë | 21 Sht 2021 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq sot pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd, ka insistuar tërheqjen e forcave policore të Kosovës nga veriu i banuar me shumicë serbe, dhe ka treguar se ka refuzuar një propozim të faktorëve ndërkombëtarë, si zgjidhje të kësaj situate.

Vuçiq në konferencën për media ka thënë të ketë refuzuar një propozim të vendeve të QUINT’it, ku sipas të cilit Kosova nuk do të zbatonte 100 për qind planin e saj për masat e reciprocitetit, por vetëm 20 deri në 30 për qind, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Në një bisedë me përfaqësuesit e vendeve më të fuqishme, mora një propozim për një zgjidhje kompromisi, por unë e refuzova. Më lejoni ta përkthej për ju – është një zgjidhje sipas së cilës shqiptarët do të heqin dorë nga rreth 70% të asaj që kishin planifikuar të bënin, por do të prezantojnë 20 deri në 30% të masave. Unë ju thashë se e refuzova dhe pastaj mora miratimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të. Jam lodhur nga politika e aktit të kryer. Askush nuk do të pajtohet më me veprimet barbare dhe kriminale të Prishtinës”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se kërkon nga qeveria e Kosovës që t’i tërheq të gjitha forcat policore nga veriu të cilat i ka vendosur dje atje, që situata të kthehet në gjendjen e mëparshme, dhe tek pastaj për këtë temë mund të diskutohet në Bruksel, për të shikuar mundësinë e gjetjes së një marrëveshje.

“Kërkesa e Këshillit të Sigurisë është tërheqja e të gjithë trupave dhe kthimi në gjendjen e mëparshme, dhe pastaj shkojmë në Bruksel për të negociuar gjithçka. Një kusht tjetër është që ne të kërkojmë një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian se a ka marrëveshje të Brukselit në transaksionet ligjore dhe kur do të formohet Asociacioni i Komunave Serbe? Heshtja e tyre do të jetë shenjë e qartë për ne se kjo marrëveshje nuk ekziston më”, ka thënë Vuçiq.

Situata e re në vend, e cila ka nxitur reagim të serbëve të veriut, duke vendosur barrikada në atë pjesë të vendit, ka ardhur pas vendimit të qeverisë së Kosovës, për të vendosur masë të reciprocitetit ndaj Serbisë, lidhur kalimet e automjeteve në pikat kufitare. Kosova prej dje, sikurse vazhdon të veprojë Serbia që nga më parë, nuk po lejon automjetet me targa serbe që të futen në territorin e Republikës së Kosovës, pasi ata po detyrohen të vendosin targa të përkohshme që bartin simbole të shtetit të Kosovës.

Të ngjashme