Vulin: Mali i Zi më fuqishëm se Shqipëria po përfaqëson pavarësinë e Kosovës

Prishtinë | 08 Kor 2018 | 09:23 | Nga

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka vazhduar të polemizojë me autoritetet malazeze, pas vendimit të Parlamentit të Malit të Zi, që në kuadër të KFOR-it në Kosovë, të dërgojë dy ushtarakë të saj, vendim ky që ka nxitur reagime në Serbi.

Vulin ka thënë se “Kosova nuk është shtet, por një territor nën administrimin e përkohshëm të OKB-së në përputhje me Rezolutën 1244”.

Ky reagim vjen pasi ministri malazez Predrag Boshkoviq, tha se Mali i Zi i bashkangjitet misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, dhe se Kosova është një shtet i njohur ndërkombëtarisht.

Siç raportojnë mediat serbe, kjo deklaratë e ministrit malazez nuk i ka pëlqyer fare homologut të tij serb, i cili pretendon se Mali i Zi do të duhej ta pyeste Serbinë, nëse mund të dërgojë ushtarët e saj në Kosovë.

“Kur Mali i Zi dërgon oficerë të saj me mision në territorin e Serbisë, është rregull themelor që të na pyes neve”, tha ministri Vulin,.

“Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi më zëshëm se Shqipëria po përfaqëson pavarësinë e Kosovës. Më tepër do të respektonim dërgimin e ushtarëve malazezë në KFOR, sikur të dërgon  të paktën një ushtar në njësitë për ruajtjen e rendit dhe ruajtjen e manastireve,  në vend të dy oficerëve në shtabin e KFOR-it për të mbështetur pavarësinë e Kosovës, pa ndonjë ndikim në sigurinë e serbëve”, ka thënë ministri Vulin, në një deklaratë me shkrim për mediat, përcjell Telegrafi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme