Vullin: SHBA përkrah veprimet e dhunshme të Kosovës

Prishtinë | 16 Jan 2017 | 19:02 | Nga

Ministri serb i Punës, i Çështjeve Sociale dhe i Veteranëve, Aleksandër Vullin, thotë se Ambasada Amerikane në Prishtinë, në vend se të ruajë paqen, po e arsyeton dhunën dhe kërcënimet me armë.

Vullini, në një deklaratë për Tanjugun, thotë se Ambasada “ka bërë thirrje për shkeljen e marrëveshjes së Brukselit”.

Duke iu përgjigjur një deklarate të bërë nga Ambasada Amerikane në “Kohën Ditore” përmes zëdhënëses së saj mbi respektimin e së drejtës së Kosovës “për t’i menaxhuar kufijtë” dhe përkrahjen “e aktiviteteve të institucioneve të Kosovës” për të parandaluar trenin e nisur nga Beogradi që të hyjë në Mitrovicë – Vullin tha se Prishtina “asnjëherë nuk vepron si e pavarur, e as kësaj radhe nuk është ndryshe”.

“Njësitet speciale të Policisë së Kosovës ROSU nuk ishin në Jarinjë për të ruajtur kalimet apo për të kontrolluar trenat. Skenari i provokimit të konfliktit me serbët që nuk do të kalonte pa derdhje gjaku, është përgatitur dhe aprovuar, ndërsa shkelja e marrëveshjes së Brukselit është përkrahur dhe është mbajtur në heshtje. Deklarata e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë e konfirmon këtë”, ka thënë Vullin, transmeton Koha.net.

Ai shtoi se kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, veproi “si një burrështetas i guximshëm dhe i përgjegjshëm” kur ai “nuk lejoi hyrjen e serbëve në një gjakderdhje, dhe si rrjedhojë, veprimi i dështuar i ROSU-t është dashur të arsyetohet nga përkrahja politike nga Ambasada Amerikane në Prishtinë”.

“Në vend se të ruajë paqen, Ambasada Amerikane në Prishtinë po e arsyeton dhunën; në vend se të mbrojë Marrëveshjen e Brukselit, Ambasada Amerikane në Prishtinë përkrah shkeljen e saj; në vend se të kërkojë formimin e Asociacionit të komunave serbe, po e arsyeton kërcënimin me armë”, ka thënë më tej Vullin.

Sipas tij, paqja kërkon dy palë, ndërsa konflikti dhe lufta “kërkojnë vetëm një – posaçërisht kur një palë mendon se e ka përkrahjen për luftë nga një fuqi e madhe”.

“Nëse Ambasada Amerikane në Prishtinë dëshiron paqe në Kosovë e Metohi, menjëherë duhet të ndalojë të arsyetuari dhunën dhe thirrjet për luftë. Të gjithë ata që i aprovojnë, nxisin dhe arsyetojnë veprimet e Prishtinës, janë po aq përgjegjës për to”, ka përfunduar Vullin.

Ndryshe, Ambasada Amerikane në Prishtinë, përmes zëdhënëses së saj, J. Michelle Schohn, ka thënë për “Kohën Ditore” se e respektojnë të drejtën e Kosovës që të menaxhojë kufijtë e vet.

“SHBA-ja ka njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur që nga viti 2008 dhe ne e respektojmë të drejtën e Kosovës që të menaxhojë se kush dhe çka kalon nëpër kufijtë e saj. Na vjen mirë që mbrëmë nuk kishte konfrontime në kufi”, ka thënë Schohn.

Ajo më tej ka shtuar se SHBA-ja përkrah fuqishëm dialogun e moderuar nga BE-ja “si mënyrën më të mirë për të ecur përpara në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”.

Së fundi janë rritur zërat që thonë se obstruksionet e Serbisë vijnë pas ndryshimeve në administratën e SHBA-së, ku serbët llogarisin në përkrahjen e presidentit të ri amerikan, Donald Trump. E pyetur për mundësinë e ndryshimit të kursit amerikan në raport me Kosovën, me ardhjen e Trumpit, zëdhënësja e Ambasadës amerikane në Prishtinë ka përmendur vazhdimësinë e politikës amerikane në Ballkan.

“Politika e SHBA-së lidhur me Ballkanin në dy dekadat e fundit ka qenë relativisht konsistente pa marrë parasysh se cila parti ka qenë në Shtëpinë e Bardhë. Nuk kemi parë asnjë indikacion se kjo do të ndryshojë”, ka thënë Schohn.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme