VV akuzon pushtetin për rrahjen e aktivistit të tyre

Prishtinë | 23 Mar 2017 | 13:47 | Nga Albulena Misini

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, dhe sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj, kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për medie në lidhje me sulmin e mbrëmshëm nga persona të panjohur ndaj aktivistit Agron Kabashi, i cili po shoqëronte në shtëpi sekretarin Organizativ, Dardan Molliqaj.

Molliqaj tha se ky akt është me motive politike dhe se është bërë nga segmentet e pushtetit. Ai tregoi se është përcjellë nga një veturë ku ishin katër persona dhe shpjegoi që sulmi ndaj aktivistit Kabashi kishte ndodhur 20 sekonda pasi që ky kishte hyrë në banesën e tij, duke shtuar se këta persona i kishin bërë edhe presion aktivistit Kabashi që të mos e shoqëronte më kurrë atë.

Me këtë rast, ai prezantoi edhe një kërcënim që kishte marrë një ditë më herët nëpërmjet Facebook-ut, nga një faqe e cila mbrëmë pas sulmit është mbyllur, kërcënim i ardhur në adresë të tij pas konferencës ku ky kishte publikuar rezultatet e një sondazhi që nxjerrë fitues të zgjedhjeve Lëvizjen Vetëvendosje.

“Shumë shpesh pushteti na ka akuzuar se ne po duam ta marrim pushtetin me dhunë, por e vërteta po del se këta po duan ta mbajnë pushtetin me dhunë”, tha veç tjerash Molliqaj.

Kurse, Kryetari Visar Ymeri sulmin ndaj Agronit e quajti sulm ndaj Dardanit, e më pas sulm ndaj gjithë Lëvizjes Vetëvendosje. “Ky është një sulm tinëzar nga njerëz të mjerë e të kapur nga krimi”.

Ndër të tjera, Kryetari Ymeri tha se kjo nuk është thjesht dhunë fizike, por dhunë kriminale. Megjithatë ai tha se krimi nuk do të fitojë, dhe tentimi për heshtje dhe demoralizim të qytetarëve nga pushteti po kontribuon në rritje të revoltës dhe mosdurimit.

“Sulmi i mbrëmshëm është konfirmim i dobësisë së këtij pushteti. Me ketë ata po e konfirmojnë paqëndrueshmërinë e tyre, mungesën absolute të fuqisë politike e konceptuale, organizative e strategjike. Prandaj edhe betejën politike po duan ta zhvendosin në rrafsh kriminal, aty ku kanë monopol, në të vetmin rrafsh ku pushteti ndihet superior ndaj popullit”, deklaroi Kryetari Visar Ymeri.

Në fund u tha se çrrënjosja e krimit është domosdoshmëri, dhe se nuk mund të ketë asnjë zhvillim pozitiv në Kosovë pa i larguar kriminelët me tesha zyrtarësh nga institucionet.

Të ngjashme