VV kërkon komision hetimor për keqpërdorimet në RTK

Prishtinë | 20 Sht 2016 | 12:34 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Radiotelevizioni publik i Kosovës (RTK) është bërë shembull i keq i keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të taksave të taksapaguesve të Kosovës, si dhe i keqpërdorimit të hapësirës mediale publike për interesa të ngushta personale e klanore. Kështu ka thënë deputetja Shqipe Pantina, në një konferencë për shtyp të thirrur nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosjes.

“Përkundër faktit që RTK-ja merr nga buxheti i Kosovës rreth 10 milionë euro çdo vit, asnjëherë nuk ka raportuar se si i ka shpenzuar këto para. Përkundër buxhetit të madh, ky institucion është i mbytur në borxhe. Borxhi i RTK-së, tashmë ka arritur në 7 milionë euro. Për më keq, askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë keqmenaxhim shkatërrues në këtë institucion”, tha deputetja Pantina.

Më tej, ajo deklaroi se përkundër që borxhi i RTK-së po rritet, vazhdon mbipunësimi në këtë institucion publik. Sipas të dhënave, numri i njerëzve që marrin paga nga RTK kap shifrën 950, ku në mesin e tyre njerëz të pushtetit, familjarë e bashkëpartiakë.

“Në mesin e këtyre njerëzve që marrin paga nga RTK është edhe bashkëshortja e kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, e cila është e angazhuar si lektore tek emisioni ‘Vikendi’, dhe për këtë paguhet hiç më pak se 1000 euro në muaj. Dhe më siguri kjo është lektorja më e paguar, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, deklaroi Pantina.

Pantina tha se përkundër numrit të madh të punëtorëve, RTK-ja nuk prodhon emisione, por shpenzon shuma të majme në blerjen e tyre, duke përmendur emisionin “Vikendi” dhe “Super Sfida”, të cilët iu kushtojnë taksapaguesve 280 000 euro në vit.

E përveç kësaj, RTK-ja ka filluar edhe blerjen e kronikave të lajmeve, gjë e cila është shkelje e ligjit. Si dhe ka përmendur shembuj të nepotizmit, siç është rasti me punësimin e vajzës së deputetes nga PDK, Xhevahire Izmaku, si përkthyese, dhe vëllait të deputetes tjetër Blerta Deliu në prokurim.

Pantina ka thënë se politikat editoriale të këtij medium, kryefund janë në shërbim të pushtetit, përkatësisht Kadri Veselit.

“Brenda një dite ta zënë nga 13 lajme të publikuara në webfaqen e televizionit publik, 11 nga to janë për PDK-në e 9 prej tyre vetëm për Kadri Veselin. Cilido monitorues profesionist që do të raportonte për veprimtarinë e RTK-së do të pyeste me të drejtë se a është Radio Televizion i Kosovës apo Radio Televizioni i Kadriut”, u shpreh Pantina.

Ajo ka folur edhe për sulme e kërcënime që menaxhmenti i RTK-së bën ndaj Sindikatës së Punëtorëve sa herë ata denoncojnë keqpërdorimet. Sipas Pantinës, menaxhmenti i RTK-së ka afërsi me “Klanin Pronto”. “Kjo shihet përmes takimeve të dokumentuara me fotografi, ku planifikojnë e organizojnë fushatën propagandistike”.

Në fund, Pantina theksoi se Radio Televizioni i Kosovës duhet t’i kthehet punëtorëve profesionistë, të ndershëm, e të pakompromis, për të menaxhuar me të duke iu kthyer në këtë mënyrë atyre që u takon vërtet, qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme