VV falënderon qytetarët për pjesëmarrje masive në protestën e djeshme

Prishtinë | 30 Sht 2018 | 13:34 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate të dërguar për media ka falënderuar gjithë qytetarët të cilët morën pjesë në protestën e djeshme të organizuar nga VV. Në thuhet se numri i madh i protestuesve tregon se Republika e Kosovës nuk është biçiklete e presidentit.

“Lëvizja Vetëvendosje shpreh mirënjohje e falënderim për të gjithë qytetarët që u bashkuan në protestën e djeshme. Ata masivisht treguan se republika nuk është biçikletë e presidentit. Republika e Kosovës i përket gjithë qytetarëve, dhe ajo nuk mund të përdoret për taktikat eksperimentale të presidentit Thaçi e të asnjë individi tjetër”, shkruhet në falënderim.

Pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në protestë nga të gjitha komunat e Kosovës, nga fshatrat e qytetet, pa dallim partie, shtrese shoqërore, moshe e gjinie, sipas VV tregon se këta pushtetarë që bëjnë pazare për ndarje e copëtim të Kosovës e të Luginës, e kanë popullin kundër. Zhvillimi paqësor i protestës tregoi kulturën e qytetarinë, dhe pjekurinë politike të popullit tonë.

“Falënderojmë posaçërisht protestuesit e ardhur nga mërgata, si dhe ata të ardhur nga trojet amtare, nga Presheva, Medvegja, Bujanoci, nga Ohri, Tetova, Kërçova, Gostivari, Struga, Shkupi e Kumanova, nga Ulqini e Malësia, nga Tirana, Vlora, Korça, Shkodra, Kukësi e nga gjithë Shqipëria. Shqiptarët nuk mund të pranojnë zvogëlim tjetër të trojeve”, shkruhet në njoftim.

Të ngjashme