VV-ja dhe PSD-ja bashkë për referendumin, ligjin e penguan ndërkombëtarët

Prishtinë | 09 Qer 2019 | 08:08 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Projektligji për Referendumin ka bërë bashkë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate (PSD).

Këto dy parti që dikur ishin një, tash po kërkojnë që qytetarëve tu mundësohet dalja në referendum, kjo duke hartuar një ligji që do ta rregullonte këtë çështje.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, i tha Ekonomia Online se përpilimi i këtij projektligji po has në disa pengesa, ndër të cilat përmend idenë e presidentit, Hashim Thaçi për “shkëmbim territoresh”.

Sipas Haxhiut, ekziston frika që referendumi të formalizohet me ligj, ngase sipas saj këtë mund të shfrytëzojë Thaçi për të hedh në votim idenë e tij. Ajo insiston se për të tilla vendime, fuqinë e ka vetëm Kuvendi.

“Është një nismë e mirë, por që në projektligjin aktual duhet të evidentohen disa probleme, e para duke pas parasysh ndërmarrjen e rrezikshme të presidentit Thaçi për shkëmbimin territorial, ne duhet të shohim që secila dispozitë mos i lejojë presidentit Thaçi që të ketë ndonjë të drejtë në këtë çështjen e referendumit. Kosova është republikë parlamentare dhe i gjithë Kuvendi duhet të jetë autoriteti i cili duhet të ketë forcë dhe fuqi në këtë drejtim”.

Haxhiu ka thënë se deri më tash, një ligj të tillë e kanë penguar edhe ndërkombëtarët dhe qeveritë e kaluara të cilat nuk kanë pasur vullnet për ta proceduar tutje.

“Është jashtëzakonisht i nevojshëm për arsye sepse Kosova nuk e ka pasur tash e njëzet vite pas luftës e pas shpalljes së pavarësisë është për shkak se ndërkombëtarët e kanë penguar që Kosova të ketë Projektligj për Referendum dhe në anën tjetër nuk ka pas as vullnet të qeverive pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë. Por besoj që tash është koha e duhur, ndonëse është vonë por duhet ta adresojmë sa më parë që është e mundshme”.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, ka thënë se drafti për Projektligjin për Referendum është pothuajse gati, duke e konsideruar tepër të rëndësishëm për shumë procese në vend.

“Çështja e demarkacionit me Malin e Zi, unë besoj se në qoftë se kjo do vendosej në referendum asnjëherë qytetarët nuk do ta bënin gabimin që e kanë bërë 80 deputetë të Kosovës. Apo Gjykata Speciale që ishte një njollë për luftën  e drejtë të UÇK-së, nëse do të vendosej në referendum nuk besoj që do të kalonin”.

Edhe deputeti nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Frashër Krasniqi, thotë se Kosova është mëse e gatshme për këtë ligj, madje ai po e konsideron të vonuar hartimin e këtij ligji.

Pavarësisht që disa nga çështjet me referendum mund të bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës, Krasniqi sugjeron që prapë se prapë ato të shkojnë përmes referendumit pa pasur frikë askush.

“Përtej çdo propozimi të politikës ditore askush nuk duhet të frikësohet nga mendimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës pse të mos e hedhim në referendum çështje me interes për jetën tonë dhe të vendosim me shumicë votash nuk ka nevojë askush të frikësohet për këto”.

Mungesa e ligjit ka bërë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të refuzojë kërkesën e bashkëpartiakut të Krasniqit, kryetarit të Kamenicës, Qendron Kastratit për mbajtjen e referendumit për gjendjen e arsimit në këtë komunë.

Kastrati, duke e konsideruar gjendjen në arsim në Kamenicë si shumë të keqe, tha se qytetarët është dashtë të jenë pjesë e zgjidhjes së këtij problemi, por që ideja e tij nuk u përkrah nga KQZ-ja.

Por, pavarësisht se pa referendum, Kastrati tha se do të vazhdojnë me forma të tjera për ta nxjerrë këtë komunë nga situata e krijuar, raporton Ekonomia Online.

“KQZ-ja është organi i vetëm që e ka këtë të drejtë me bo zgjedhje në Kosovë dhe me bo referendum, e ka refuzuar një gjë të tillë tash na duhet me kuptuar këtë dhe me vazhduar në mënyrën tjerët”.

“Ne do të vazhdojmë t’i kontaktojmë drejtpërdrejtë qytetarët dhe jemi të interesuar shumë që secilin me marrë parasysh ama ta kem parasysh që qëllimi i vetëm dhe kryesor është arsimi sa ma cilësor që fëmijët edhe të rinjtë tanë të zhvillohen në mënyrë të shëndetshme”.

Të ngjashme