VV-ja ende s’i është përgjigjur kërkesës së presidentit

Prishtinë | 13 Pri 2020 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Që nga rrëzimi i qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti më 25 mars, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i është drejtuar dy herë Lëvizjes Vetëvendosje, nga e cila ka kërkuar ta propozojë mandatarin e ri për formimin e qeverisë, mirëpo LV-ja ende nuk ka dhënë përgjigje.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, tha se presidenti do të ketë një përgjigje në përputhje me Kushtetutën.

“Do t’i përgjigjemi në përputhje me Kushtetutën, pa shkaktuar asnjë shkelje. Kjo është çështje që po konsiderohet dhe do të ketë përgjigje nga kryeministri, brenda kuadrit kushtetues, pa lënë pas dore ballafaqimin me pandeminë dhe emergjencën shëndetësore. Presidenti, mediat dhe opinioni publik do të mbahen të njoftuar për përgjigjen, sapo ajo të jepet, në mënyrë shumë transparente”, deklaroi ai.

Në letrën e dyte të Thaçit drejtuar Kurtit, thuhet se ai është në pritje të përgjigjes për kërkesën që ia ka përcjellë më datë 2 prill 2020 për të propozuar kandidatin/en për Kryeministër dhe formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës, raporton telegrafi.

“Siç e dini, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë të datës 25.03.2020, kam zhvilluar takime konsultative me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend për të vlerësuar nëse është në interesin e partive politike formimi i Qeverisë së re apo shpërndarja e Kuvendit. Shumica e partive politike janë deklaruar që janë për formimin e Qeverisë së re. Në këtë drejtim, duke marrë parasysh aktet e sipërpërmendura ua kam dhënë mundësinë që si Lëvizje Vetëvendosje të propozoni kandidatin/en për Kryeministër. Qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me të drejtë presin funksionalizimin e Qeverisë së re dhe presin nga unë të dekretoj kandidatin/en e propozuar për Kryeministër”, thuhej në letrën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Ndryshe, kryeministri në detyrë, Albin Kurti para disa ditë ditësh ka thënë se presidenti Thaçi është nxituar me kërkesën e tij për mandatar, teksa ka pohuar se zgjidhja më e mirë është të kalohet pandemia e koronavirusit e më pas të shkohet në zgjedhje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme