VV-ja i drejtohet Kushtetueses për komentet e Thaçit për “rezistencë ndaj masave të Qeverisë”

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 13:06 | Nga Ekonomia Online

Grupi parlamentar i Vetëvendosjes i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ku ka deponuar komentet si përgjigje ndaj atyre të presidentit Hashim Thaçi më 23 mars, në lidhje me masat që kishte marrë Qeveria për kufizim të lëvizjes për parandalim të përhapjes së Coronavirusit.

Sipas njoftimit të VV-së, komentet janë dorëzuar dje nga deputetja dhe nënkryetarja e Kuvendit, Arbëri Nagavci.

Thaçi pak çaste pas vendimit të Qeverisë, më 23 mars, kishte bërë thirrje që kjo masë të mos respektohet nga qytetarët dhe institucionet.

VV-ja vlerëson se Thaçi ka bërë disa shkelje të Kushtetutës me këtë rast.

“Presidenti jashtë mandatit e funksionit të tij kishte bërë thirrje për mosrespektim dhe moszbatim të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Duke kërcënuar organet ligj zbatuese me sanksionime penale, e drejtë kjo vetëm e sistemit gjyqësor të vendit tonë. Vendimet e Qeverisë kishin të bëjnë me mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga pandemia Covid-19, ndërsa sjellja e presidentit për të shpallur publikisht vendime të Qeverisë pa efekt juridik dhe thirrjet për moszbatim e mosbindje civile përveç rrezikim të shëndetit publik, ishin shkelje serioze e Kushtetutës nga ana e tij, ndërhyrje brutale, cenim të pavarësisë së pushteteve, si dhe rrezikim i lirive dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Sipas këtij subjekti politik, Thaçi ka bërë shkelje serioze të Kushtetutës dhe me paramendim.

“Me këtë rast, Presidenti ka bërë shkelje serioze të trefishtë të Kushtetutës dhe me paramendim. Këtë e rikonfirmon edhe vetë ai në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke u përpjekur ta arsyetojë veprimin e tij dhe shkeljen e rëndë kushtetuese. Përmes këtyre komenteve, Presidenti pranon veprimet e tij antikushtetuese, ndonëse përpiqet të fshihet prapa imunitetit funksional të pozicionit të Presidentit. Por, këto shkelje serioze nuk mund të justifikohen e as të tejkalohen në emër të imunitetit funksional. Për rrjedhojë presim që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë dhe të konstatoj antikushtetutshmërinë e veprimeve të Presidentit të datës 23 mars 2020”, thuhet në komunikatë.

Gjykata Kushtetuese ndërkohë ka vlerësuar si anti-kushtetues këtë masë të Qeverisë dhe kishte ftuar Ministrinë e Shëndetësisë të merret me rastet dhe komunat veç e veç.

Të ngjashme