VV-ja i drejtohet Kushtetueses për vendimin e Thaçit për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë e veri të Mitrovicës

Prishtinë | 22 Qer 2020 | 14:30 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për Vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve antikushtetuese të Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së veriut, raporton Ekonomia Online.

Hajrullah Çeku i tha Ekonomia Online se Kushtetuta si dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat civile dhe politike garantojnë të drejtën e patjetërsueshme për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Prandaj sipas tij, qytetarët e këtyre dy komunave po privohen nga e drejta për të pasur udhëheqës të tyre.

Shkelje kushtetuese e ka quajtur ai shtyrjen e zgjedhjeve, duke shtuar se arsyetimi për mbrojtjen e shëndetit të qytetarë nuk qëndron, ngase të dielën u lejua mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë.

“Vendimi i Presidentit për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve në Besianë dhe Mitrovicë janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, si dhe në kundërshtim me konventa ndërkombëtare të integruara në Kushtetutë si dhe me praktikat e mira dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale”, tah ai.

Fjalimi i plotë:

Sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese Kërkesën për Vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve antikushtetuese të Presidentit të Republikës së Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Besianës dhe të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Nga gjashtë shkurti i këtij i viti, qytetarët e Komunës së Besianës vazhdojnë të privohen nga e drejta e tyre e përcaktuar me Kushtetutë për zgjedhur përfaqësuesin e tyre si Kryetar të Komunës, si dhe për të pasur qeverisjen lokale që e kanë zgjedhur përmes zgjedhjeve të lira, me arsyetimin e rënë tashmë të shëndetit publik. Dje u organizuan zgjedhjet e Serbisë në Kosove – justifikimi për çështje të shëndetit publik ka rënë dje plotësisht, nëse kjo ka qene pengesa. Sepse ndryshe nuk mund të shpjegohet se përse u organizokan zgjedhjet e Serbisë në Kosovë dhe pse jo të vet komunave të Kosovës.

Cila është porosia? Që ne kemi me pak te drejta? Qe popullate e minoritetit serb nuk është përgjegjësi e qeverise tonë sa i takon shëndetit publik ? Cilado qofte është skandaloze dhe e papranueshme.

Kushtetuta e Republikës, si dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat civile dhe politike garantojnë të drejtën e patjetërsueshme për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Komuna është njësi themelore e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës, të cilat gëzojnë shkallë të lartë të vetëqeverisjes lokale dhe inkurajojnë e sigurojnë pjesëmarrje aktive të të gjithë qytetarëve në procesin e vendimmarrjes së organeve komunale.

Gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë në qeverisjen e vendit të vet, drejtpërdrejt ose me anë të përfaqësuesve të zgjedhur lirisht. Këto të drejta kushtetuese të qytetarëve mundësohen përmes shpalljes dhe organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejtpërdrejta. Askush nuk ka të drejtë e autorizime, e aq më pak Presidenti që arbitrarisht dhe jashtë kompetencave të tij të pamundësojë ushtrimin dhe përmbushjen e këtyre të drejtave përmes shtyrjes pa afat të mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të komunës.

Përkundrazi, përgjegjësia kushtetuese dhe ligjore e Presidentit, është caktimi i datës së zgjedhjeve në afatet e përcaktuara me ligj. Pas dorëheqjes së Kryetarit të Komunës zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës. Zgjedhjet e parakohshme shpallen jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas dorëheqjes, të cilat nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas shpërbërjes.

Me vendimet e Presidentit për të shtyrë pa afat të caktuar mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Besianës, por së fundi edhe për zgjedhjen e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Presidenti ka privuar qytetarët nga e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, siç përcaktohet me nenin 45 të Kushtetutës.

Vendimi i Presidentit për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve në Besianë dhe Mitrovicë janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, si dhe në kundërshtim me konventa ndërkombëtare të integruara në Kushtetutë si dhe me praktikat e mira dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.

Të ngjashme