VV-ja kundër Raportit vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2017

Prishtinë | 06 Qer 2018 | 14:02 | Nga Donika Osmani

Gjatë seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, në rend dite ishte edhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2017.

Hajdar Beqa, në emër të GP të PDK-së, ka thënë se interpelancat e opozitës po e vonojnë punën e ligjeve brenda Kuvendit.

“Ne duhet të kuptojmë që i kemi edhe 4 ligje që lidhen direkt me agjencinë: Ligji për konfiskim të pasurisë, deklarim të pasurisë, mbrojtja e informatorëve. Të gjitha këto ligje e forcojnë rolin e agjencisë. Kërkoj nga deputetët të angazhohen, sepse ligjet shumë shpejt janë në duar të deputetëve”.

Beqa kërkoi që Kuvendi të merret me shqyrtimin e ligjeve të lartpërmendura, të cilat janë të rëndësishme për vendin, e jo me interpelanca, siç ai i quajti, interpelanca folklorike, patriotike, raporton Ekonomia Online.

“Qeveria duhet të jetë më dinamike. T’i lëmë interpelancat masi që të kryejmë punë që janë të rëndësishme për institucionet dhe shtetin”.

I menjëhershëm ishte reagimi i deputetes Haxhiu, e cila tha se opozita do qëndrojë konstruktive dhe është e drejtë e deputetëve të thirrin interpelanca.

“Shumë shpesh po akuzohet opozita që po përpilon interpelanca në Kuvend. Nuk e kuptoj a është Kosova Republikë Parlamentare a është Kosova Republikë Qeveritare apo Presidenciale. Është problematike kur dëgjon deputetët e Kuvendit që opozita mos me procedu kërkesa për interpelanca, e për çka janë këto interpelanca për telekomin, Trepçën, për KEK-un, d.m.th. këto që ndërmarrjet tona publike që i ka shkatërru qeveria aktuale dhe të kaluarat”.

“Mos kërkoni këso gjëra që as në ëndërr nuk munden me ju plotësu. Ne do vazhdojmë me opozitë konstruktive, që qeveria aktuale e cila edhe sot po mungon po e shpërfill Kuvendin, deputetët dhe qytetarët. Projektligjet që i përmendi Hajdar Beqa nuk janë proceduar në komision për legjislacion. Nuk është në rregull të akuzohet që nuk po punohet”.

Korab Sejdiu, në emër të GP të LDK-së, tha se LDK-ja e përkrah këtë raport, raporton EO.

“Grupi jonë e përkrahim këtë raport edhe pse ka shqetësime të thella sa i përket agjensionit, me atë se nuk i ka veglat e mjaftueshme për t’i arritë synimet që i ka. Shpresojmë që të punohet më shumë që të ndihmohet në synimin e objektivave që ka”.

Albulena Haxhiu, në emër të GP të LVV-së, tha se LVV-ja nuk e përkrah këtë raport, pasi që nuk është evidentuar asnjë dënim me burg i zyrtarëve të lartë që kanë bërë deklarim të rrejshëm të pasurisë.

“Ne nuk e kemi përkrahë, sepse nuk është evidentuar asnjë rast i zyrtarëve të lartë që janë dënuar me burg për deklarim të rremë të pasurisë, konflikte interesi”.

“Në këtë raport në faqen e parë konsiderohet e arritur që jemi në vendin e 85-të, 10 vende më lart në raportin e ‘Transparence International’. Kjo thuhet se është më lart, sepse ka ndryshuar përbërja e KGJK-së se jo Kosova ka luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”.

“Ne kemi dëgjuar në institucione që bëjnë plot luftime të korrupsionit, por problem serioz mbetet që prokurorët dhe gjyqtarët po parashkruajnë rastet e korrupsionit dhe kështu thuhet edhe në raport të agjencisë, nuk është treguar pse janë parashkruar këto raste. Ne nuk mund ta votojmë një raport të tillë”.

Time Kadrijaj, në emër të GP të AAK-së, deklaroi se ky raport do të përkrahet edhe nga ta.

“Ne do ta përkrahim këtë raport. Kur e tha kryetarja e komisionit se është raport i mirë, u çudita thashë koka raport perfekt, por më dëshpëroi kur foli në emër të GP të LVV-së”.

“Agjencioni kundër Korrupsion është adresa e parë e atyre që preken nga korrupsioni ose i atyre që dëmtohen nga korrupsioni dhe është institucioni që mbikëqyr aspektin formal, tha Bilall Sherifi në emër të GP të Nismës.

Të ngjashme