VV-ja me 20 rekomandime për përmirësimin e procesit zgjedhor, s’pajtohen partitë tjera

Prishtinë | 24 Qer 2019 | 11:32 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor ka shqyrtuar rekomandimet e grupeve parlamentare lidhur me përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor.

Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka prezantuar 20 rekomandime, raporton Ekonomia Online. Albulena Haxhiu tha se VV-ja ka përmbledhur këto rekomandime si të domosdoshme për tu bërë.

“E para, e drejta e votës duhet të përcaktohet vetëm për shtetasit e Republikës së Kosovës. Ne kemi konsideruar se është e rëndësishme që secili shtetas ta ketë të drejtën për të votuar; Lista e votuesve duhet të përmbajë vetëm shtetasit e Kosovës që janë pajisur me dokumente të Kosovës”.

“Duhet të obligohet me ligj MPB dhe Agjencia e Regjistrimit Publik të bëjnë regjistrimin e shtetasve me adresa të sakta; Duhet të diskutohet që të largohet votimi me kusht; Votimi me asistencë ka qenë problem i madh. Kjo mënyrë e votimit është keqpërdorur”.

“Mandati i kryesuesit të KQZ duhet të pezullohet; Qytetari me të drejtë vote mundet të kërkojë një ditë para për ndërrim të qendrës së votimit; Votimi në ambasada apo konsulenca; Regjistrimi paraprak të votuesve që jetojnë jashtë vendit; Ata që duhet ë votojnë përmes Postës regjistrimin duhet ta bëjnë përmes zyrës në KQZ-së; Çdo komunë do ketë një qendër për numërimin e votave”.

“Ndalimi i përdorimit të të mirave publike; Nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve deri në certifikimin e rezultateve ndalohen aktivitetet propaganduese nga institucionet qeveritare, qendrore dhe lokale; Fushata parazgjedhore 30 ditë, afati minimal dhe maksimal për zgjedhje të jashtëzakonshme 2 muaj, etj”.

Nisma Socialdemokrate ishte kundër për disa prej këtyre rekomandimeve. Pasi sipas deputetit Bilall Sherifi, ato bien ndesh me mandatin e tyre si komision dhe janë jashtë kompetencës së tyre.

“Mbledhjen e kaluar kemi ra dakord të përfshihen ndryshime që kanë të bëjnë vetëm me natyrën teknike. Janë disa gjëra që prekin reformën zgjedhore dhe këtu nuk kemi të bëjmë reformë por të përmirësojmë infrastrukturën e zgjedhjeve”.

“Disa pik që nuk marrin mbështetjen tonë janë: votimi me kusht, votuesit jashtë vendit të votojnë nëpër ambasada, numri i votave të bëhet në qendra komunale është reformë më e gjerë se sa kemi mandat ne si komision, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve ndalohet aktivitetet propaganduese, atëherë duhet të kemi ndalim të aktivitete propaganduese të Qeverisë”.

“…afati minimal e maksimal i zgjedhjeve është prekje e Kushtetutës. Këto dalin jashtë mandatit dhe jashtë kompetencës së këtij komisioni, mbi të gjitha hyn në reformë zgjedhore”.

Kurse, PSD adresoi katër çështje si më të rëndësishmet që duhet të punohen nga komisioni. Ato i prezantoni deputetja Shqipe Pantina.

“Janë 4 çështje kryesore që duhet me u adresuar. E para, edhe për ne votimi me kusht është problematik. Votimi me kusht është një nga çështjet dhe problem kryesor që ka shkaktar parregullsi tjera dhe jemi që të hiqet. Çështja e dytë është lista e votuesve. Është përgjegjësi e MPB dhe Agjencisë së Gjendjes Civile por KQZ po i kapë problemet sepse lista nuk po është lista e rregulluar”.

“Çështja tretë, ka të bëjë me fushatën zgjedhore. E dimë qe një ditë para është heshtja zgjedhore por problem është kur fillon. Ose duhet me rregulluar me norma strikte ose me lënë liberale. Çështja e katërt është votimi me postë, gjegjësisht votimi në konsulanta”.

Edhe Partia Demokratike pati të njëjtin mendim, se disa rekomandime kalojnë nga mandati i tyre, raporton EO.

Memli Krasniqi tha se nëse duan të shkojnë me një proces të tillë duhet të marrin mandat nga Kuvendi, përndryshe tani nuk e kanë një të tillë.

“Mendimi im dhe i PDK-së është që ne në këtë proces nuk mund të bëjmë dika që nënkupton ndryshimin e Kushtetutës sepse është jashtë mandatit tonë”.

“Nëse dëshirojmë me shku në atë drejtim është me shku në Kuvend me marrë mandat. Nëse shkohet te ajo pikë duhet me u marrë me reformën zgjedhore si tërësi dhe me dalë me proces ndryshe nga ky”.

Të ngjashme