VV-ja në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Përgjithshëm vendos për Kurtin

Prishtinë | 20 Nën 2019 | 14:58 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjen e radhës do të diskutojë për ndryshimet në statutin e kësaj partie. Këtë e ka konfirmuar lideri i VV-së Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.

Kurti pozita e të cilit është pjesë e ndryshimit të statutit, thotë se janë duke u bërë një varg ndryshimesh, por të cilat nuk dëshiron t’i komentojë.

Madje ai u ka rekomanduar gazetarëve që për këtë çështje të merren detaje nga që sekretarja organizative e VV-së, Vlora Haxhimehmeti.

“Në Lëvizjen Vetëvendosje kemi një grup punues për reforma organizative i cili ka përgatitur një mori ndryshimesh statutore për mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së”.

“Unë nuk i kam parë ende ato propozime, por besoj që sekretarja organizative e VV-së, Vlora Haxhimehmeti është personi i duhur për të dhënë përgjigje e hollësishme”.

Sipas statutit të VV-së, Kurtit do t’i duhej që të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë.

Sipas nenit 73.3 të statutit të VV-së, nëse kryetari zgjidhet kryeministër, jep dorëheqje nga pozicioni i kryetarit të Lëvizjes.

Para zgjedhjeve të 6 tetorit, ishte edhe Kurti ai që paralajmëroj që do të japë dorëheqje nga kryetari i partisë nëse i fiton zgjedhjet.

I pari i Vetëvendosjes paralajmëroi se do të takohet sërish me Isa Mustafën para certifikimit të rezultatit të zgjedhje, teksa tha se e rëndësishme është që 80 për qind është harmonizuar programi qeverisës VV-LDK.

“Së pari me siguri do të takohemi para certifikimit të rezultatit me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, së dyti mbi 80 për qind është harmonizuar programi qeverisës VV-LDK, së treti jemi dakorduar që me insistim do të synojmë vetëm 12 ministri, më së shumti nga dy zëvendësministra për ministri dhe së paku 30 përqind gra ministra dhe vetëm pas harmonizimit të plotë programor për mandatit tonë qeverisës me një dokument shumë faqesh, ne do ta bëjmë edhe ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv por kjo është pjesa më e lehtë e punës, se më e vështira tashmë e kemi kaluar, e ky është harmonizimi programor”, tha Kurti.

Kur foli për shkëmbimin e territoreve, Kurti tha se këtë e ka ndalur populli dhe bashkëpunimi i atëhershëm opozitar VV-LDK, raporton EO.

“Besoj që shkëmbimi territorial i cili do të shkaktonte ndarjen e Kosovës, e kanë ndalur populli i Kosovës me protestën e 29 shtatorin të vitit 2018 me moton ‘Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu'”.

“Faktori i dytë që e ka ndalur ndarjen e Kosovës është bashkëpunimi i suksesshëm opozitar mes VV-së dhe LDK-së, e më pas edhe faktorët ndërkombëtarë që e kundërshtuan një gjë të tillë”, tha ai.

Kurti foli edhe për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake, Kurti ripërsëriti se do të vendos reciprocitet të plotë politik e ekonomik me Serbinë.

Në njëvjetorin e vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ka thënë se sapo ta marrë drejtimin e qeverisë VV-LDK do t’ia nisë me masa reciproke me Serbinë.

“Ne do të vendosim reciprocitetin e plotë politik, ekonomik dhe trgatar me Serbinë, në përputhje me rezolutën e Kuvendit të datës 7 dhjetor të vitit 2011, që u shpërfill nga qeveria e atëhershme”.

“Pra ne besojmë se reciprociteti është parimi i duhur për marrëdhënie të mira fqinjësore e bilaterale”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë:

Të ngjashme