VV-ja në takim me Doris Packun, diskutojnë për prioritizimin e çështjeve socio-ekonomike

Prishtinë | 02 Nën 2019 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar për mbarëvajtjen e takimit që dje ka zhvilluar me Doris Pack, ish deputete e Parlamentit Evropian, tash kryetar e Forumit të Gruas të Partive Evropiane.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se në takim ishin nënkryetari i LVV-së Besnik Bislimi, dhe anëtarët e kryesisë Fitore Pacolli dhe Kreshnik Ahmeti.

Doris Pack, thuhet në njoftim, shoqërohej nga drejtori i Konrad Adenauer Stiftung në Kosovë, Johannes D. Rey dhe zyrtarë të tjerë të këtij fondacioni.

“Në një ambient miqësor u diskutua për procesin dhe rezultatin zgjedhor. Pack uroi Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin dhe u interesua për procesin e negociatave për themelimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje njoftoi znj. Pack për prioritetet programore të Qeverisë. Palët diskutuan për nevojën e prioritizimit të çështjeve socio-ekonomike si edukimi, zhvillimi ekonomik i vendit dhe ngritja e mirëqenies së qytetarëve. Në takim u pajtuam se për arritjen e këtyre qëllimeve domosdoshmëri do të jetë lufta e pakompromis kundër korrupsionit”, thuhet në njoftim.

LVV thotë se në fund të takimit, të dyja palët u pajtuan që t’i vazhdojnë dhe thellojnë raportet në mes tyre.

Kujtojmë se dje gjatë ditës, me Pack janë takuar edhe figura nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme