VV-ja për deklarata e Bahtirit për vëllavrasje: S’kemi nevojë për asnjë konflikt, ta kalojmë pandeminë

Prishtinë | 30 Mar 2020 | 13:57 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje është distancuar nga deklaratat e kreut të Mitrovicës, Agim Bahtiri. Ai gjatë së hënës ka kërcënuar me vëllavrasje në rast se krijohet Qeveri e re, pa shkuar në zgjedhje.

Arlind Manxhuka, nga Zyra për Informim e VV-së, i ka thënë Ekonomia Online, se nuk ka nevojë për asnjë konflikt dhe se së bashku me qytetarët do të kalojnë pandeminë dhe secilën sfidë.

Sipas tij, aktualisht janë duke u marrë më masat për parandalimin e Coronavirusit, duke shtura se në përputhje me Kushtetutën vendi duhet të shkojë në zgjedhje, pas rrëzimit të Qeverisë, Kurti.

“Aktualisht jemi duke u marr në mënyrë të plotë me Pandeminë Covid19 dhe posa ky virus të largohet e të rikthehet normaliteti, në përputhje me Kushtetutën të shkohet në zgjedhje të reja siç kemi deklaruar edhe ditë më parë”.

“Nuk kemi nevojë për asnjë konflikt, së bashku me qytetarët e vendit, me disiplinën tonë të përbashkët, do ta kalojmë edhe pandeminë edhe secilin problem tjetër”, ka shtuar ai.

Deklaratat e presidentit Hashim Thaçi për bisedime me partitë politike tjera në vend, e ato të LDK-së që mund të krijojnë një qeveri të re me AAK-në e Nismën, nuk i kanë pëlqyer kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit.

Ai ka deklaruar se në rast se ndodhë një skenar i tillë, në Kosovë do të ketë vëllavrasje.

“Qeveria e re do të bëhet kur bëhen zgjedhjet dhe sot ia tregojmë secilit vendit. Qeveri të re nuk ka prej 6 tetorit deri në zgjedhje, mos hini në një konflikt vëllavrasje sepse ne nuk e kemi ndërmend me lëshu me na vjedh dikush pushtetin, qytetarët na kanë dhanë deri të na japin prapë do të jemi aty”.

“Unë po i frikësohem asaj sepse populli është shumë i revoltuar. I bëjë thirrje presidentit që të ketë kujdes në këtë drejtim dhe ti shpallë zgjedhjet”, ka thënë Bahtiri, duke deklaruar se në Kuvend në zgjedhjet e ardhshme kjo parti do t’i ketë 46 deputetë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme