VV-ja për kritikat në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri: Jemi zotuar në fuqizimin e marrëdhënieve vëllazërore

Prishtinë | 12 Pri 2021 | 21:04 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka vendosur që për zgjedhjet e 25 prillit të përkrah kandidatë të pavarur.

Arlind Maxhuka i VV-së, tha se i kupton kritikat e drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje për përfshirje në zgjedhjet në Shqipëri, por thekson se VV-ja është zotuar se do të angazhohet edhe në fuqizimin e marrëdhënieve me Shqipëri.

Postimi i plotë:

Bordi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! qendra në Shqipëri, ka vendosur që Lëvizja VETËVENDOSJE! atje të merr pjesë në zgjedhjet e 25 prillit përmes përkrahjes së kandidatëve të pavarur.

Organizata e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri ka autonominë e plotë vendimmarrëse, por në këto zgjedhje gëzon edhe mbështetjen logjistike dhe politike të LV. Ne besojmë që LV është alternativë ndaj problemeve, sfidave, e vështirësive me të cilat ballafaqohen qytetarët atje. Kosova dhe Shqipëria kanë qenë dhe janë përherë të lidhura me njëra-tjetrën, por edhe sfidat i kemi të përbashkëta; problemet ekonomike, sociale e politike, sidomos korrupsionin, varfërinë, papunësin e migrimin. Ne besojmë që kandidatët e pavarur të përkrahur nga LV në zgjedhjet e 25 prillit përfaqësojnë modelin progresiv të përfaqësuesit të popullit që me përgatitje dhe integritet përfaqëson dhe mbron interesat e qytetarëve.

Gjatë këtyre ditëve kemi parë kritikë për këtë përkrahje logjistike dhe njerëzore që ka ofruar dhe po ofron LV në Shqipëri. Kritikë të cilën e kuptojmë pasi qytetarët presin që ne të angazhohemi në kryerjen e zotimeve që kemi marrë, të cilën po e bëjmë gjatë gjithë kohës.  Por, pjesë e këtyre zotimeve ishte dhe mbetet fuqizimi i marrëdhënieve vëllazërore me Shqipërinë. Ajo që e dallon dhe e ka dalluar LV-në nga të tjerët përherë është aktivizimi për realizimin e të drejtave dhe sjelljen e ndryshimit përkundrejt pasivizmit dhe status quos duke pritur që ato të realizohen vetvetiu.

Në këtë drejtim zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri kanë hapur mundësinë që modelin e fitores qytetare me 14 shkurt ta ndajmë aktivisht edhe me vëllezërit e motrat tona në Shqipëri. Në fakt, Lëvizja VETËVENDOSJE! në Kosovë është e lumtur të përkrahë forca progresive që angazhohen për barazi sociale, zhvillim ekonomik e të drejta në gjithë rajonin sepse Kosova është e sigurt dhe e zhvilluar po aq sa është edhe rajoni i saj.

Të ngjashme