VV: Komuna e “dritës” lë në terr Kastriotin

Prishtinë | 16 Tet 2018 | 17:03 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Kastriot, përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin e saj për sigurinë e qytetarëve të kësaj komune, për shkak të mungesës së ndriçimit publik si pasojë e mospagesës së borxhit të energjisë elektrike.

Komunikata e plotë:

“Nga data 10 Tetor, pothuajse të gjitha rrugët e qytetit dhe të fshatrave të Kastriotit i ka mbuluar terri. Kjo për shkak se Komuna me muaj të tërë nuk e ka paguar borxhin e energjisë elektrike. Ky borxh, sipas informatave nga KEDS-i, është mbi 22 mijë euro. Si rrjedhojë, KEDS-i me datë 10.10.2018 i ka shkyçur nga rrjeti elektrik të gjitha këto drita. Përveç reduktimeve shumë të shpeshta të energjisë elektrike në Kastriot dhe në rrethina, ndalja e ndriçimit publik po u shkakton probleme të shumta qytetarëve të moshave të ndryshme, e posaçërisht fëmijëve dhe të moshuarve. Po ashtu, qytetarët ndihen të shqetësuar edhe për mundësinë e keqpërdorimeve të shumta që po ndodhin në këtë komunë.

Nuk është hera parë që Komuna e Kastriotit po i harxhon mjetet buxhetore të destinuara për çështje specifike në investime tjera, kryesisht në udhëtime zyrtare pa plan e pa agjendë dhe gjithashtu në dreka e darka të zyrtarëve komunal.

Këto drita të vendosura me buxhetin e qytetarëve u shfrytëzuan gjatë fushatës së kaluar zgjedhore si një rezultat i madh i kryetarit aktual të Komunës së Kastriotit. Ky kryetar i papërgjegjshëm, neglizhencën dhe paaftësinë e tij menaxhuese për këtë çështje po provon ta mbulojë me manipulim mediatik kinse qytetarët e pandërgjegjshëm paskan qasje dhe po i ndalojnë këto drita, gjë që nuk është e vërtet.

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Kastriot shpreh shqetësimin e saj për sigurinë e qytetarëve të Kastriotit dhe apelon që sa më parë Komuna të kryej obligimet ndaj KEDS-it, në mënyrë që të kthehet ndriçimi publik në Kastriot dhe në fshatrat e tij”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme