VV: Kriza e brendshme e PDK-së s’bën të tranferohet në Kuvend

Prishtinë | 09 Gus 2017 | 19:17 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje thotë se sot u tentua sërish që kriza e brendshme e Partisë Demokratike të transferohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Sipas këtij subjekti politik, përfaqësuesit e PDK-së shpërdorën “takimin konsultativ” në mbajtjen e të cilit insistuan vetë.

“Ata pa asnjë arsye të qëndrueshme nuk pranuan kërkesën e Kryesuesit të Kuvendit të Republikës, deputetit Adem Mikullovci, për të marrë pjesë në seancën e rregullt të caktuar për nesër. Kësisoj, sërish shkelën procedurat parlamentare dhe kushtetuese dhe vazhduan bllokimin e themelimit të institucioneve”, thuhet në një komunikatë të VV-së, e cila e bojkoti takimin e thirrur nga deputeti i tyre.

“Sot, koalicioni PAN shtroi sërish një kërkesë absurde por të kuptueshme duke ditur gjendjen e tyre. Ata, veçanërisht PDK kërkuan që me “konsensus” t’ua bëjmë ne shumicën të cilën as e morën nga qytetarët me 11 qershor as nuk e arritën me ndonjë partneritet politik më pas. Përmes “takimeve konsultative” si ky sot, PAN po insiston në emërimin arbitrar e jo në përzgjedhje demokratike”, vazhdon komunikata.

“Bllokimi i procesit parlamentar është taktikë, kurse kriza politike si strategji e koordinuar e koalicionit PAN është vetëm nevojë e drejtuesve të PDK-së”.

“Sot, qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim ndodhen në situatë shantazhi të cilën, nuk ua kanë për borxh sidomos PDK-së që për dhjetë vite është në pushtet”, thekson VV.

“Veprimet e fundit të koalicionit të PDK-së konfirmojnë sheshazi atë që e dimë të gjithë e që u përmend dje edhe nga znj. Angelika Viets, Ambasadorja e Gjermanisë – ‘Shumë kanë frikë edhe nga ndjekja penale nëse nuk janë në pushtet’. Ata pra, janë të interesuar që të jenë pushteti kështu e garantojnë sigurinë e vet”.

VV thotë se po e përcjell me shqetësim “lojën e rrezikshme të PAN-it” dhe tërheq vërejtjen për dëmet që po i shkaktohen qytetarëve dhe vendit. “Pajtohet me brengat e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare ndaj pengmarrjes së institucionit të Kuvendit nga ana e këtij koalicioni, të udhëhequr nga PDK-ja”.

VV thërret të gjithë deputetët e Kuvendit që të mblidhen nesër për vazhdimin e seancës konstituive. Prania jonë e rregullt në sallën e Kuvendit mbetet dëshmia më e fuqishme e përgjegjësisë ndaj qytetarit dhe Republikës.

“Bojkoti i PAN-it është sulm ndaj shtetit”, përfundon komunikata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme