VV kundër që Xhavit Haliti të udhëheqë tri delegacionet më të rëndësishme

Prishtinë | 12 Dhj 2017 | 14:53 | Nga Donika Osmani

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit ngase nuk po pajtohet që Komisionin Parlamentar për Stabilizim Asociim ta udhëheqë Partia Demokratike e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot ka formuar Komisionin Parlamentar për Stabilizim Asociim. Kjo sipas Konjufca u vendosë në mënyrë jodemokratike.

Sipas tij, Xhavit Haliti nga PDK do të jetë udhëheqës i delegacioneve ma të rëndësishme të Kuvendit, atë të delegacionit në NATO, Parlament Evropian dhe Këshillin e Evropës.

“Në të gjitha bisedat që kemi pasur ne jemi marrë vesh që ky Komision të udhëhiqet në mënyrë politike, këtu u vendos me mbivotim. Xhavit Haliti nga PDK do të jetë udhëheqës i delegacioneve ma të rëndësishme të Kuvendit, atë të delegacionit në NATO, Parlament Evropian dhe Këshillin e Evropës”.

“Nëse vazhdon kështu të mos ketë ndarje të përbashkët që të udhëhiqen delegacionet e nivelit ndërkombëtar atëherë si opozitë do të ankohemi te këta të fundit që të mos lejojnë që këto gjëra të ndodhin. Në vendet demokratike përfaqësimi ndahet”.

Ai tha se këto tri delegacione për në këto institucione ndërkombëtare duhet të ndahen në mes tri subjekteve më të madhe politike, VV, PDK dhe LDK-së.

Konjufca tha se një ndarje e tillë mes pozitës dhe opozitës është praktikë e vendeve demokratike dhe këtë siç tha ai e ka përkrahur edhe Ulrike Lunacek.

Të ngjashme