VV: Ndryshimi antiligjor i kufijve komunalë synon spastrimin etnik të Komunës së Graçanicës

Prishtinë | 10 Tet 2018 | 16:34 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media në lidhje me vendimin e kundërligjshëm dhe antikushtetues për ndryshim të kufijve administrativë mbi baza etnike mes komunës së Graçanicës dhe asaj të Fushë Kosovës.

Kryetarja e Qendrës së Lëvizjes në Fushë Kosovë Albana Gashi foli për kalimin e këtij projekti të dëmshëm në mënyrë krejt të nxituar dhe tërësisht në shpërputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

“Vendimi për zonën kadastrale të fshatrave Uglarë dhe Preoc është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse ajo përcakton se kufijtë e komunave mund të ndryshohen vetëm me ligj, respektivisht me plotësim/ndryshim te ligjit për kufijtë administrativ”, tha Albana Gashi.

Këtë vendim e bën më dyshues përfundimi i procesit me nxitim, pa shpjegime, pa rregulla, pa konsultime të gjera me qytetarët dhe sigurisht jashtë kompetencave të nivelit komunal.

Kurse, anëtari i Kryesisë dhe deputeti i Lëvizjes Xhelal Sveçla foli për qëllimin e mbrapshtë të këtij projekti që për qëllim ka largimin e fshatrave dhe lagjeve me shumicë shqiptare, duke i kaluar ato Fushë Kosovës, në mënyrë që Komuna e Graçanicës të pastrohet etnikisht.

Çfarë e shtyn drejtuesit e Komunës së Graçanicës të japin territor një komune fqinje që prej tyre shihet si komunë me shumicë shqiptare? Cilat janë ato shërbime apo ato të drejta që qytetarët që banojnë në këto dy zona kadastrale nuk i merrkan në Graçanicë por i marrin në Fushë Kosovë? Pse këtyre qytetarëve që rastis të jenë në shumicë dërrmuese të kombësisë shqiptare nuk i shërbeka Komuna e Graçanicës, por Komuna e Fushë Kosovës?

Kjo është e padyshim e padrejtë. Por legjitimi i kësaj padrejtësie është edhe më i rëndë. Ky rast duhet parë nën dritën e zhvillimeve që lidhen me projektin e Zajednicës. Në të ashtuquajturën “Lugina e Diellit” në Zveçan, një projekt kolonizues përkundër ndalesës së Ministrisë së Mjedisit e Planifikimit Hapësinor ata janë duke vijuar punimet. Në Mitrovicë po duan ta zgjerojnë territorin e komunës në veri të Ibrit në drejtim të asaj të jugut e për këtë po shantazhojnë me moshapjen e urës.

Le të themi që në mungesë totale të seriozitetit të institucioneve të Kosovës dhe në vijim të ligjërimit të Presidentit Hashim Thaçi për kompromise, korrigjime, shkëmbime, korrektime kufijsh është një testim po ndodh brenda vendit. Ky është rasit i Graçanicës me Fushë Kosovën. Këto të dy vendime janë pra të paligjshme, kundërkushtetuese dhe mbi të gjithë të padrejta.

Lëvizja Vetëvendosje kundërshton ashpër këtë vendim antikushtetues, të paligjshëm dhe të padrejtë dhe për këtë sigurisht që do të shohim mundësitë e adresimit në Gjykatë Kushtetuese e ditëve në vijim do të njoftojmë për veprimet e mëtejshme.

Të ngjashme