VV në Malishevë: Rregullorja për taksat komunale varfëron komunën

Prishtinë | 02 Dhj 2016 | 16:11 | Nga

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal në Malishevë e cila u mbajt me datë 30.11.2016, asamblistët me shumicë votash miratuan Projekt-rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale për vitin 2017.

Miratimi i kësaj rregullore u bë në kundërshtimi me nenin 68 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, dhe në kundërshtim me nenin 12.1 të Statutit të Komunës së Malishevës, i cili parasheh informimin, pjesëmarrjen dhe konsultimin e gjerë të qytetarëve përmes fushatave informuese, shpalljeve publike dhe debateve të ndryshme. Derisa edhe rregullorja e punës së Kuvendit Komunal i ka të detajuara procedurat për miratimin e rregulloreve komunale.

Rregullorja për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale është njëri nga dokumentet më të rëndësishme që ndërlidhet me jetën e qytetarëve dhe me veprimtarinë e bizneseve, pasi përmes saj përcaktohen obligimet në formë taksash, që qytetarët dhe bizneset paguajnë në formë të shërbimeve dhe kontributeve, mjete këto të cilat hyjnë tek të hyrat vetanake, e të cilat më pas do duhej të ju kthehen qytetarëve dhe komunitetit të biznesit në formë të investimeve apo shërbimeve komunale.

Duke u bazuar në këto Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes përfaqësuesve të saj në Kuvendin Komunal ka kundërshtuar miratimin e kësaj rregullore, duke kërkuar nga kryetari dhe Kuvendi i Komunës që ky dokument ti nënshtrohet konsultimit të gjerë publik, dhe konsultimit brenda kuvendit, para se ai të miratohet.

“Është hipokrizi që në njërën anë qeverisja lokale përdorë retoriken e politikës sociale dhe pjesëmarrje qytetare, kurse në praktikë pamundëson pjesëmarrjen qytetare, dhe përmes vendimeve të tilla si ky i rregullores, krijon pabarazi sociale, duke vënë në pozita të njëjta si qytetarin e varfër me bizneset, si dhe duke krijuar pabarazi edhe brenda vet bizneseve, formë kjo që ju siguron përfitime bizneseve të mëdha në kurriz të bizneseve të vogla dhe nxit klientelizmin politik.
Miratimi i kësaj rregullore si për nga mënyra, ashtu edhe për nga përmbajtja, shpërfaqë papërgjegjësinë e komunës, ndaj qytetarëve të saj, tregon mungesë elementare të njohurisë së zhvillimit ekonomik të bazuar në mirëqenie si dhe pamundëson rritjen e të hyrave vetanake që janë parakusht për vetqëndrueshmërinë e Komunës së Malishevës”, thuhet në komunikatë.

VV thotë se veprim i ngutshëm dhe i pa takt i kuvendit të komunës do të thotë humbje e mijëra eurove në buxhetin e komunës të cilat do të mund të destinoheshin për çështjet shumë jetike për qytetarët e komunës së ranguar ndër më të varfrat në vend.

Të ngjashme