VV: Negociatorët tanë mendjelehtë janë ata që kanë harruar krimet më çnjerëzore nga kriminelët serbë

Prishtinë | 28 Mar 2019 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

Sot, më datë 28 mars kur po shënohet 20 vjetori i masakrës së Izbicës së Skenderajt dhe masakrës së familjes Bogujevci dhe Duriqi në Besianë, një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje të prirur nga deputetë e aktivistë të qendrës së Skenderajt, respektivisht Besianës, bënë homazhe duke iu bashkuar familjarëve në dhimbjen e tyre të gjallë dhe në përkujtimin e tyre të thellë për viktimat e krimeve çnjerëzore të Serbisë.

Lëviza Vetëvendosje, në këtë ditë, ka folur për negociatorët të cilët kanë takime me eksponentë serbë për t’u arritur një marrëveshje. Thonë, se janë këta negociatorë ata të cilët i kanë harruar këti krime, madje i kanë quajtur mendjelehtë.

“Kriminelët gjenocidalë enden të lirë. Me këtë Serbi, me këtë shtet që shërben si tokë e lirë për kriminelët e luftës, disa mendojnë se ende mund të dialogohet dhe të sigurohet njohja. Këta negociatorë mendjelehtë janë pa dyshim ata që i kanë harruar krimet. Janë po ata që shkojnë deri aty sa i mendojnë të lehtë dhe të shpejtë edhe korrigjimet e kufijve”, thuhet në komunikatën e tyre.

“28 mars, 1999 – 20 vite më parë, në Izbicë të Skenderajt, 147 burra e djem shqiptarë u masakaruan mizorisht nga forcat serbe, ndërsa gratë dhe vajzat u dëbuan, për t’u terrorizuar dhe vrarë rrugës për në Shqipëri. Trupat e burrave dhe djemve të masakruar u varrosën nga fshatarët. Krimi kundër tyre nuk mbaroi në gjallje. Forcat serbe i zhvarrosën e i shpërndanë trupat e tyre nëpër Kosovë e Serbi. Po atë ditë, në Besianë, njësiti ‘Skorpion’ kreu masakrën mbi familjen Bogujevci dhe Duriqi. 7 fëmijë të moshës prej 2 deri 15 vjeç dhe shtatë gra u ekzekutuan. Pesë fëmijë i shpëtuan kësaj masakre. Njëri prej këtyre fëmijëve, që sot është deputete e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Saranda Bogujevci, rrëfeu para të pranishmëve rrjedhën e kësaj masakre”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Tutje thuhet se as 20 vite më pas, Serbia nuk ka dënuar dhe as ka shënjuar ndonjë përgjegjës për këto krime.

“Ashtu si dikur shpërndante trupat e vdekur mbi tokën e Serbisë, sot shpërndan vulën e krimit mbi popullin serb. Kriminelët serbë që kryen krimet më çnjerëzore mbi popullsinë civile, me 11 masakra mbi shqiptarët dhe mbi kufomat, që e zhvarrosën krimin e tyre për ta varrosur nëpër tokat e shtetit të tyre, janë ende të lirë. Për pasojë, Serbia është e burgosur në krimin që po e përjetëson vetë në mënyrë qeveritare. Kriminelët gjenocidalë enden të lirë. Me këtë Serbi, me këtë shtet që shërben si tokë e lirë për kriminelët e luftës, disa mendojnë se ende mund të dialogohet dhe të sigurohet njohja. Këta negociatorë mendjelehtë janë pa dyshim ata që i kanë harruar krimet. Janë po ata që shkojnë deri aty sa i mendojnë të lehtë dhe të shpejtë edhe korrigjimet e kufijve. Në këtë kohë pra, kur po flitet për kompromise të dhimbshme me Serbinë, pranvera 1999 dhe shumë data të ngjashme me të, korrigjojnë më së pari mendjelehtësinë e kujtdo që beson se Serbia ka ndryshuar. Kompromisi i dhimbshëm më shumë se ai me Serbinë, është ai i harresës së krimit dhe përjetësimit të krimit mbi njerëzit tanë”, përfundon njoftimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme