“VV nuk është kundër dialogut me Serbinë, por kundër dialogut pa parime”

Prishtinë | 29 Sht 2017 | 13:04 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas një viti stagnim të procesit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, elitat politike dhe bashkësia ndërkombëtare duken të vendosur për vazhdimin e këtij dialogu.

Ky proces është përcjellë me kundërshtime në skenën politike kosovare. Dialogu është kritikuar për mungesë të transparencës dhe mos-implementim të marrëveshjeve të arritura, raporton Ekonomia Online.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë asnjëherë kundër dialogut me Serbinë, por kundër dialogut pa parime, ka thënë deputeti i kësaj partie Albin Kurti.

Sipas Kuriti, së pari duhet të zhvillohet dialog me serbët e Kosovës, pasi dialogu i tanishëm nuk i ka kontribuar integrimit të serbëve në Kosovë, por as Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së.

“Është një dialog asimetrik, me të cilën Kosova ka qenë më shumë temë sesa palë. Në zyrën e Mogherinit, Bashkimi Evropian s’ka qenë ndërmjetësues, por pacifikues. Kësaj i shtohet fakti se BE në Kosovë ka një mision me fuqi ekzekutivi dhe një të tillë s’e ka në Beograd. Krerët e ndryshëm të EULEX-it kanë dhënë ligjërata në universitete private e asnjëherë s’kanë raportuar në Kuvend. Është e qartë se kjo asimetri asnjëherë s’ka sjell dobi”, ka thënë ai.

Kurti në konferencën e organizuar nga KFOS me temën përfundimi i dialogut “Çfarë mund të presë Kosova nga ky proces?, gjithashtu tha se nuk ka logjikë të fillojnë me një dialog të ri pa i shikuar rezultatet e 6 viteve të dialogut.

Në këtë takim u diskutuar ër shumë tema duke filluar nga ri-strukturimi i dialogut, ide kjo e plasuar nga elitat politike të dy shteteve, integrimi i serbëve të Kosovës, e deri te njohja e Kosovës si shtet nga Serbia, anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, e veçanërisht përparimi i Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt BE-së, janë çështje kyçe të cilat duhet marrë parasysh kur trajtohen të arrirat dhe mangësitë e këtij procesi.

Shkrimtari e publicisti Veton Surroi, i cili ka qenë pjesë e Ekipit të Unitetit në bisedimet para pavarësisë, përmendi detyrat që duhet t’i bëjnë jo vetëm Kosova e Serbia në atë që duhet të ndryshohet në dialog, por edhe me atë që BE-ja duhet ta bëjë.

Ai tha se negociatat janë privatizuar në masë të madhe nga presidenti Hashim Thaçi, i cili po i përdor ato për interesa personale derisa vendi ka nevojë për një unitet politik.

“Normalizimi duhet të jetë te vetë politika. Kosova që 7 vjet është kushtëzuar nga vetë raportet e dala nga pakoja e Marti Ahtisaarit, asaj i duhet të lirohet nga ajo dhe patjetër i duhet të ketë një konsensus të brendshëm pa këtë lloj konsensusi, nuk mund të ecim me këtë dialog,” ka thënë Surroi.

Sipas tij, BE-ja duhet të ndërrojë asimetrinë e saj që ka në raportin mes Kosovës e Serbisë, nuk mundet që njërit vend t’i premtojë shumë gjëra e tjetrit asgjë, raporton EO.

Gazetari serb, Boshko Jakshiq, tha se ka pak gjasa që Serbia të ndryshojë qasjen e saj karshi Kosovës, por është shprehur se ky lloj dialogu i tanishëm është shumë gjatë me “frymëmarrje artificiale”, i cili nuk po sjell rezultate, andaj, sipas tij, është e domosdoshme të ketë një lloj marrëveshjeje obligative.

 

Të ngjashme