VV pas vendimit të PZAP-së: Kandidimi i Kurtit dhe të tjerëve nuk mund të ndalet

Prishtinë | 26 Jan 2021 | 18:11 | Nga Ekonomia Online

Pas vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa ku u vendos kundër kërkesës së partive politike, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje duke e quajtur vendim absurd.

Sipas vendimit, pesë kandidatë të VV-së nuk u lejohet të jenë pjesë e listës në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në këtë listë bëjnë pjesë Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Labinotë Demi-Murtezi dhe Bajram Mavriqi.

“PZAP veproi në një vijë me tre anëtarët e KQZ-së, Valdete Dakën, dhe përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së, duke sajuar argumente të paqena juridike dhe kushtetuese vetëm sa për të prodhuar këtë pengesë që është në fakt një padrejtësi e shumëfishtë”, thuhet në reagimin e VV-së

“Të konfirmosh, siç ka bërë PZAP, nën direktivën arbitrare të kryesueses së KQZ-së, përjashtimin nga lista zgjedhore të të kandiduarve, do të thotë që të gjykosh për të dytën herë atë që Gjykata tashmë e ka përbyllur pa pasoja juridike. Pra, praktikisht PZAP po jep dënim me masë më të rëndë se sa parashihet me ligj. E kjo as është detyrë e PZAP-së, e as është e imagjinueshme në një shtet të së drejtës dhe demokratik. Kështu si ky vendim sot duket vetëm inkuizicioni. Inkuizicion politik e juridik”, thuhet tutje aty.

“Këto vendime, pra, ai i disa anëtarëve të KQZ dhe ky sot i PZAP-së, janë shpërfaqje e një konjukture që i rri mbi krye institucioneve duke ua zënë frymën demokratike. Por jo edhe për shumë gjatë. Kandidimi i Albin Kurtit dhe i kandidatëve të tjerë nuk do të mund të ndalet, sepse kështu e thotë e drejta, dhe lista e VETËVENDOSJE!-s do të paraqitet e plotë e fitimtare në zgjedhjet e 14 shkurtit sepse kështu po e kërkon populli”, shkruan në reagim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme