VV: Policia arreston studentë vetëm pse vendosën një pano te kisha e Millosheviqit

Prishtinë | 17 Sht 2016 | 14:27 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një deklarate për media pas aksionit simbolik të studentëve të SKV-së, ka thënë se asnjë intervenim nuk ndërmori kjo polici disa ditë më herët, kur zyrtarë të manastirit të Graçanicës, jashtëligjshëm u futën në këtë objekt dhe filluan punimet për rinocimin e tij.

“Lëvizja Vetëvendosje e dënon ashpër intervenimin e dhunshëm të Policisë së Kosovës ndaj studentëve të Universitetit të Prishtinës të cilët thjeshtë vendosën një pano prej letre para kësaj kishe. Ky objekt, i ndërtuar gjatë regjimit të Millosheviqit, simbolizon planet e tij për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe uzurpon hapësirën e Universitetit të Prishtinës”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Për këtë parti, “është shqetësuese dhe e papranueshme që Policia të vazhdojë shërbimin me aq përkushtim ndaj klanit Pronto e për interesat e Serbisë”.
“E në anën tjetër të jetë aq shtypëse e brutale ndaj kujtdo që ngrit zërin e angazhohet për interesin e shtetit dhe kombit tonë”, thuhet në reagim.

Vetëvendosje bën thirrje për lirim të menjëhershëm të studentëve të arrestuar dhe fton Policinë që të mos vazhdojë me këto veprime që, sipas kësaj partie, po kontribuojnë që Kosova të shndërrohet në shtet autoritar në shërbim të Serbisë.

Të ngjashme