VV: Populli është më i fuqishëm se Qeveria

Prishtinë | 01 Sht 2016 | 18:37 | Nga

“Qeveria ka dështuar në zotimet e veta të errëta për Kosovën. Lëvizja Vetëvendosje e konsideron fitore tërheqjen e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi”, kështu u shpreh Visar Ymeri gjatë një konference për medie.

Ymeri dhe Sekretari Dardan Molliqaj kanë kërkuar largimin e Qeverisë dhe të klanit ‘Pronto’.

“Treshja Pronto, Veseli-Mustafa-Thaçi dështuan që ta legjitimojnë aktin e tyre të tradhtisë dhe kjo është humbje e jashtëzakonshme për të gjithë ata që më të gjitha energjitë janë munduar ta cungojnë vendin”, tha Ymeri.

Kryetari Ymeri, më tej shtoi për dështimin e këtij klani për atë që ata ishin zotuar më herët se Demarkacioni do të votohet me 1 shtator dhe kjo është punë e kryer. “Kjo që ndodhi sot është një gjunjëzim për personin që e ka nënshkruar këtë marrëveshje”, vazhdoi ari.

“Sot u dëshmua një gjë se populli është më i fuqishëm se Qeveria. Nga sot situata ka ndryshuar dhe se kjo Qeveria duhet të bije”, përfundoi fjalën e tij Ymeri.

Sekretari i kësaj Lëvizje, Dardan Molliqaj, foli lidhur me arrestimin dhe procesin gjyqësor për 6 aktivistët e Lëvizjes lidhur me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

“Në seancën e djeshme prokurori i çështjes largoi aktakuzën për armëmabjtje pa leje ndaj aktivistëve të Vetëvendosje dhe se gjithë ajo zhurmë që u bë për armë tash nuk kemi asnjë aktakuzë për një gjë tillë”, tha Molliqaj.

Ai gjithashtu foli për gënjeshtrat e konferencës së Policisë të cilët kishin thënë se të akuzuarit e kanë pranuar fajin dhe se një gjë të tillë e ka treguar edhe vetë prokurori, i cili ka deklaruar se nuk ka prova që t’u jepet paraburgim aktivistëve të Vetëvendosjes.

“Vendimi i sotëm që tre prej aktivistëve, Adea Batushës, Petrit Ademit dhe Frashër Krasniqit që t’u jepet masa e arrestit shtëpiak dhe aktivistëve të tjerë siç janë Astrit Dehari, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi t’u jepet masa e paraburgimit është vendim krejtësisht politik”, shtoi Molliqaj.

“Pas gjithë kësaj ngjarje ne kërkojmë përgjegjësi morale, politike dhe penale për të gjithë personat e mëposhtëm:

Luan Keka, zv.drejtor i antiterrorit

Abdurrahman Islami, prokuror i Prokurorisë Speciale

Fatos Makolli, drejtor i njësisë kundër terrorizmit në PK.

Shpend Maxhuni, drejtor i Përgjithshëm i Policisë.

Mentor Shala, Drejtor i RTK-së.

Ridvan Berisha, kryeredaktor i RTK 3.”

Në fund, Molliqaj kërkoi lirimin e atyre që u arrestuan para seancës dhe pas protestës së sotshme:

Deputetet Aida Dërguti dhe Donika Kadaj-Bujupi si dhe aktivistët: Sadri Ramabaja, Dardan Kadaj, Erden Atiq, Leotrim Bajrami, Qëndron Kastrati, Valton Peci, Shkëlqim Salihu, Drilon Pireva, Ermal Osmani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme