VV: Prishtina e vulosi sonte fitoren e Lëvizjes

Prishtinë | 20 Tet 2017 | 22:02 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje e ka mbyllur sonte fushatën me një tubim në Sallën e Sportit në Pallatin e Rinisë.

VV thotë se salla ishte e vogël për mijëra qytetarët që ishin të pranishëm brenda dhe jashtë për tubimin e përmbylljes së fushatës për zgjedhjet që zhvillohen të dielën.

Nga ky tubim u ftuan gjithë qytetarët gjithandej Kosovës që më 22 tetor “të votojnë me mendje e me zemër, të votojnë numrin 10”.

Kryetari i VV-së, Visar Ymeri, ftoi që të votohen kandidatët për kryetar dhe për Kuvend Komunal. “Kryetarët nga VETËVENDOSJE! janë në shërbim të qytetarëve. Këta edhe jetojnë si qytetarët. Me rrogë. Pa të ardhura tjera. Legale e jo legale, ka thënë Ymeri.

Ai shtoi se ata do ta transformojnë komunën, do ta radikalizojnë transparencën, do ta demokratizojnë qeverisjen, do ta zhvillojnë komunën, do ta shërojnë shëndetësinë, do ta mësojnë arsimin, do ta rregullojnë urbanizmin, do ta intensifikojnë bujqësinë, do t’i zgjerojnë shërbimet, do ta rregullojnë trafikun, do ta çlirojnë publiken, do ta pastrojnë administratën.

Ndërsa deputeti Albin Kurti paralamjëroi se ky fund i ri fushate do të jetë një tjetër fillim. “Do të qeverisim më shumë se gjysmën e Kosovës të gjymtuar anëkend komunave të vendit tonë nga krimi e korrupsioni, nga injoranca e arroganca. Qeverisja në Prishtinë ka qenë shembull i mirë për qytetarët, për ta bërë ndryshimin me 22 tetor, e për ta bërë transformimin deri më 2021”; ka thënë ai.

“E vetmja komunë e shumicës sot është Prishtina. Nuk ka fëmijë të uritur a të sëmurë në banka shkollore dhe ka transport të mirë e të lirë. Nuk ka ndërtime të egra e pa leje dhe çdo gjë shkon me plan e sipas ligjit. Nuk ka radhë të gjata në sportele dhe ka ujë 24 orë nëpër kroje. Nuk ka nepotizëm e tenderomani por ka çerdhe të reja dhe rregullsi”; ka shtuar Kurti duke ftuar qytetarët që ta zgjedhin “kryetarët që kanë zgjidhjet”.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka rikujtuar se më vitin 2013, një lëvizje e tërë e njerëzve është bashkëngjitur në një betejë për një Prishtinë pa ndërtime pa leje, një Prishtinë pa korrupsion, një Prishtinë me më shumë respekt për të përbashkëtën, atë që gjenerata të tëra e kanë ndërtuar si komunë.

“46 mijë ndërtime pa leje, zvogëluan komunën, e ndalen ujin, bllokuan kanalizimin, dendësuan shkollat, varfëruan qytetin. Përderisa pushtetarët shikonin nga zyrat e larta të komunës dhe prapa xhamave të makinave të shtrenjta nga distanca, qytetari izolohej dhe frikësohej nga fuqia e pushtetit e parasë”; ka pohuar Ahmeti.

“Sot nuk ka më ndriçim për militantin, por ka dritë për qytetarin. Nuk ka më asfalt për votuesin, por ka rrugë për qytetarin. Nuk ka më rezervoare për pushtetarët, por ka ujë për qytetarët. Nuk ka më banesa për kryetarin e drejtorët, por ka strehim për ata që kanë nevojë. Nuk ka më dreka e darka luksoze për pushtetarët, por ka kifle e qumësht për fëmijët. Nuk ka më spitale private për pushtetarët, por ka shëndetësi publike për qytetarët. Nuk ka më xhipa të shtrenjtë për pushtetarët, por ka transport publik për qytetarët. Nuk ka ndërtime pa leje për mafian, por ka leje për ndërdimtarët. Nuk ka më PLDK, por ka VETËVENDOSJE!”, ka theksuar i pari i Prishtinës.

Duke ftuar qytetarët e Republikës së Kosovës që t’i votojnë të gjithë kandidatët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! anëkënd Kosovës; Shpend Ahmeti ka prezentuar kandidatët për Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Të ngjashme