VV: Projektligji i Thaçit s’mund ta bëjë ushtrinë

Prishtinë | 20 Mar 2017 | 11:59 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Projektligji aktual për Forcën e Sigurisë së Kosovës nuk mund ta transformojë këtë të fundit në ushtri. Ky projektligj vetëm do ta ndihmojë FSK-në, në rritjen e kapaciteteve.

Kështu u tha në konferencën me temë  “Forca e Sigurisë së Kosovës dhe rregullimet ligjore”, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.

Visar Ymeri , kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se prej se është çliruar Kosova nga okupimi serb diskutimi për ushtrinë ka qenë përherë i  pranishëm, duke shtuar se  diskutimi për ushtrinë ka qenë i pranishëm edhe para çlirimit dhe vazhdimisht është diskutuar për atë se çfarë, si dhe pse dhe kur duhet ta formojmë ushtrinë e Kosovës njëherë e pastaj edhe ushtrinë e Republikës së Kosovës.

“Në fakt që prej vitit 1990 e veçanërisht pas viteve 1995-1996 populli i Kosovës ishte organizuar dhe kishte organizuar ushtrinë e vet çlirimtare e cila e pati luftën ose pjesën kryesore të luftës për çlirim të Kosovës nga okupimi serb dhe ky rrugëtim pastaj i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një farë mënyre prej vitit 1999 në momentin e çlirimit të Kosovës nga ushtria serbe me ç’rast edhe UÇK-ja, pushoi së ekzistuari ajo u çarmatos dhe u transformua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës”, ka thënë ai.

“Më shumë kemi pasur ushtri kur kemi qenë të okupuar se sa kur kemi qenë të lirë e aq më pak kur e kemi shpallur veten shtet të pavarur dhe sovran dhe ky mendoj që është paradoksi i parë ”, ka pohuar Ymeri.

Moisiu: Ushtria mund të bëhet pa u prekur Kushtetuta

Alfred Moisiu, ish-president i Republikës së Shqipërisë, duke folur për Projektligjin për FSK-në, theksoi se ushtria mund të bëhet pa u prekur Kushtetuta e Kosovës.

“U përpoqa të shoh edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin e FSK-së dhe neni 126 i Kushtetutës thotë se FSK-ja mbron qytetarët dhe komunitetet e Republikës së Kosovës në bazë të kompetencave të përshkruara në ligj. Kjo është një gjë shumë interesante, sepse lejon të bësh rregullime pa u marrë me Kushtetutën”, tha ai.

“Ndërsa në Ligjin për FSK-në neni 10 pika 1 dhe 2 thuhet: misioni i FSK-së si instrument i sigurisë është që ta mbështes qeverinë e Kosovës, ndërsa pika 2 është: Forca e Sigurisë së Kosovës është e armatosur lehtë dhe nuk do të ketë armë të rënda siç janë tanket artileria e rëndë, apo kapacitete sulmuese ajrore. Dua të tërheq vëmendjen tuaj këtu në këtë pikë të ligjit, sepse është interesante për mendimin tim, që nuk duhet të ketë armë të rënda siç janë tanket, por kjo nuk të ndalon të kesh autoblinda të fuqishëm dhe mund t’i përdorësh, thotë artileri e rëndë, por nuk thotë që të mos ketë artileri: pra si mortaja 31,32 milimetërsh, gjithashtu thotë që të mos ketë kapacitete sulmuese ajrore, por nuk thotë që të mos kesh helikopterë për emergjenca apo shërbime shëndetësore, etj”, ka theksuar ai.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës duhet të t’u tregojnë partnerëve të sajë se ka nevojë për ushtri. Ndërkaq ai u bëri thirrje aleatëve dhe miqve të shqiptarëve që ta mbështesin Kosovën për këtë të drejtë, jo vetëm si një të drejtë legjitime, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Ndërsa Jakup Krasniqi , kryetarë i Këshillit Kombëtar të Nismës tha se problemi më i madh që ka Kosova është mungesa e sundimit të ligji. Ai tha se gjithmonë ka një vullnet për tu bërë ligje, por asnjëherë për t’i praktikuar ato.

Selimi: VV mbështet rritjen e kapaciteteve të FSK-së

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, tha se mbështesin ndryshimet kushtetuese që do ta bënin ushtrinë, mirëpo theksoi se ka ndodhur moskoordinim me faktorin ndërkombëtar.

“Ka ndodhur një moskordinim me faktorët ndërkombëtarë e me aleatët strategjik, qëndrimet e VV-së mbesin në mbështetje të rritjes së kapaciteteve të FSK-së, por ne kemi shumë vërejtje në strukturën e Ligjit por do ta kthejmë në amendamente”, tha ai.

“Qysh me shpalljen e pavarësisë së Kosovës ajo do të duhej ta kishte të shpallur edhe ushtrinë. FSK-ja ka një buxhet të vogël, ka numër të kufizuar të pjesëtarëve që do ta bënin të pa mundur rritjen e kapaciteteve”, ka thënë Selimi.

Ai është përqendruar te tri dimensione të ligjit për FSK-në.

“Unë do të nis me Nenin 4 ku ka të bëjë me transformimin pa ndryshime kushtetuese dhe nenin 5 ku parashihen detyrat. E theksojmë që e mbështesim formimin pa anashkaluar vërejtjet që ne i kemi”.

“Dimensioni i dytë ka të bëjë me strukturën e ligjit, i cili nuk ka strukturë dhe ka anomali. Neni 3, neni 5, neni 9, neni 10, neni 11 kanë anomali pastaj në këtë projektligj nuk është paraparë të ketë kod penal ushtarak. Dhe kompetencat e presidentit në ligj thuhet që do t’i rriten kompetencat e presidentit pra ligji parash që ai mund ta aktivizoj ushtrinë edhe jashtë kompetencat kushtetuese”, ka thënë ai.

Fotografia e Naim Jakaj

Të ngjashme