VV proteston në Tiranë, s’kemi tokë të falim

Prishtinë | 29 Gus 2016 | 17:55 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me parrullat “Nuk kemi tokë për të falur!”, “Bjeshkët e Namuna jo në Mal të Zi!”, “Jo demarkacionit!”, “Nuk kemi tokë me shpërbly largimin e Malit të zi nga Rusia”, “S’e paguajmë me tokë shqiptare hyrjen e Malit të zi ne NATO”,etj., qindra qytetarë protestuan sot para ambasadës së Kosovës në Tiranë.

Protesta u organizua nga pedagogë, studentë, intelektualë të profesioneve të ndryshme dhe organizata të shoqërisë civile. Ky tubim iu bashkëngjit protestave që po mbahen në qytete të Kosovës për mosmiratimin në Kuvendin e Kosovës të demarkacionit kufitar me Malin e Zi, më 1 shtator. Pjesëmarrësit në protestën para ambasadës së Kosovës kundërshtuan demarkacionin që ia humbet Kosovës 8,200 hektarë.

Në fjalën e hapjes, aktivistja e shoqërisë civile Brizida Gjikondi tha se ne shqiptarët kemi tokat tona për të marrë dhe jo për t’u dhënë fqinjëve dhe se bota nuk të do po të mos duash themelet e tua. Studenti dhe aktivisti Pavjo Gjini kujtoi se dita e sotme është edhe ditëlindja e Abdyl Frashërit dhe se historia nuk ka mbaruar për ne shqiptarët dhe atë duhet ta bëjnë sot e për çdo ditë.

Ai kërkoi nga qeveria e Republikës së Shqipërisë që të ketë një politikë aktive për mbrojtjen e interesave kombëtare, Kosova nuk duhet parë prej Shqipërisë siç e sheh diplomacia ndërkombëtare, sepse Kosova është brenda kontekstit shqiptar.

Ali Lajçi dhe Ukë Rugova në emër të përfaqësuesve të qytetarëve të Pejës që kishin ardhur enkas për të përshëndetur tubimin e Tiranës, theksuan se ajo që po ndodh me demarkacionin është ekspansion paqësor i Malit të Zi dhe ata radhitën pasuritë natyrore e pikat strategjike që Kosova humbet nëse demarkacioni ratifikohet në Kuvendin e Prishtinës.

Andi Tepelena aktivist i shoqërisë civile e cilësoi demarkacionin si një pazar të ndyrë dhe tha se mosmiratimi i tij është sfida para kombit shqiptar sot. Këtë mesazh mbështeti edhe Sulejman Dida nga qyteti i Kukësit, duke thënë se tapitë e atdheut nuk janë të qeveritarëve tradhtarë, por të kombit shqiptar.

Profesori Elvis Hoxha denoncoi heshtjen e institucioneve shkencore, në radhë të parë të Akademive të Shkencave të të dy vendeve, dhe shprehu besimin se dështimi i ratifikimit të demarkacionit do të jetë një kthesa që pritet në kahun e historisë së shqiptarëve. Ai bëri thirrje që shqiptarët të jenë vigjilentë, sepse tradhtia nuk njeh orar.

Në fund të tubimit, regjisori Bashkim Rodoni lexoi deklaratën publike të pjesëmarrësve të protestës drejtuar Deputetëve të Kuvendit të Kosovës si dhe bëri thirrje që t’u bashkohen protestës me 1 shtator në Prishtinë.

 

Të ngjashme