VV: Pushtetarët po përpiqen ta pastrojnë imazhin përmes Nënë Terezës

Prishtinë | 03 Sht 2016 | 14:43 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje i uron besimtarët katolikë, e njëherazi edhe shqiptarët, për shenjtërimin e Nënës Terezë, Gonxhe Bojaxhiut.

“Si murgeshë, me shërbimin e dedikimin e saj religjioz, ajo sigurisht që është një simbol i katolicizmit botëror e i atij shqiptar. Por si njeri i përkorë, si një grua që jetën e saj ia dedikoi të varfërve e fatkeqëve, vepra e mesazhi i saj tashmë i ka kaluar kufijtë e një religjioni, duke bërë jehonë në një pjesë të madhe të njerëzimit”, thuhet në letrën e LVV-së.

Sigurisht, procesi i shenjtërimit e kthen Nënën Terezë në një simbol të njohur botërisht, të cilin mund edhe ta keqpërdorë dikush, thotë Vetëvendosje.
“Jo të paktë janë ata pushtetarë të stërpasuruar në mënyrë kriminale që gjatë këtyre ditëve do të përpiqen ta pastrojnë imazhin e vet përmes përvetësimit të simbolit të Nënës Terezë. Por kjo nuk duhet të na ndalojë ta respektojmë personalitetin e saj, dhe t’i kushtojmë rëndësinë e duhur mesazhit të jetës e veprës së saj”, thuhet në letrën e Vetëvendosjes.

“Në një kulturë dominante të tregut e të konsumit, ku pasuria e padrejtësia shfaqet arrogante, jemi krenarë që nga mesi i shqiptarëve doli një personalitet i përmasave universale, që jep një mesazh të tillë solidariteti e sakrifice në të mirë të të varfërve, të pastrehëve, të papunëve e të atyre që janë të diskriminuar. I bashkangjitemi respektit e gëzimit për ceremoninë e shenjtërimit të saj”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme