VV: Shkëputja e kontratës me Z-Mobile njoftim i pritur, lënda të dërgohet në organet e drejtësisë

Prishtinë | 30 Kor 2019 | 17:24 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje përmes një shkrimi publik për media ka thënë se shkëputja e kontratës nga Z-Mobile ka qenë vendim i pritur prej kohësh.

Tutje në këtë komunikatë thuhet se është urgjente që lënda të dërgohet në Prokurori dhe Gjykatapër të njohur dëmët e shkaktuara Telekomit.

Njoftimi i plotë

Njoftim i sotshëm i Bordit të Telekomit të Kosovës se Kontrata me Dardafone.net, ish Z-mobile, nuk do të vazhdohet më tej është padyshim një njoftim i pritur prej kohësh.

Në këto momente përveç përgëzimeve për punëtorët e Telekomit të Kosovës dhe sindikatën për organizimin e tyre, na duhet t’i bëjmë thirrje publike Bordit të Telekomit, përfshirë dhe Kryeshefin Ekzekutiv se:

Është urgjente të dërgohet lënda e plotë në Prokurori e edhe në Gjykata  me qëllim njohjen e dëmit të shkaktuar dhe dëmshpërblimint e Telekomit të Kosovës nga Dardafone. net (ish Z-mobile),

Si dhe të marrë masat e plota nëpërjet zyrës së tyre ligjore për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të padrejtë të arbitrazhit.

Po ashtu i bëjmë thirrje Autoritetit Rregullativ (ARKEP) që sa më parë të ndërmarrë veprimet që 300 mijë numrat në përdorim të Z-mobile sa më parë t’i kalojnë efektivisht Valës, ashtu edhe siç i takojnë. Çdo ditë e zvarritjes së këtij procesi është vazhdim i dëmtimit të Telekomit.

Çdo kërkesë e kompanisë Dardafone.net, për veprime apo kërkesa në fushën e telekomunikimeve të mos merret në konsideratë nga ARKEP për sa kohë që një seri lëndësh, raportesh, hetimesh janë duke u zhvilluar prej krimeve ekonomike deri tek Komisioni hetimor parlamentar në Kuvend.

Bordi i Telekomit dhe ARKEP janë përgjegjës që periudha e tranzicionit për numrat e ish Z-mobile të mos jenë në asnjë formë vegëz për çfarëdolloj keqpërdorimi të ri nga Dardafone.net.

Çdo shtyrje apo keqpërdorim në disfavor të Telekomit të Kosovës lidhur me këto numra që i takojnë kësaj ndërmarrje i bën përgjegjës këta zyrtarë aktualisht në detyrë.

Lëvizja VËTËVENDOSJE! po e monitoron situatën në vijimësi dhe nuk do të ndalet derisa Telekomit t’i kthehet dëmi i shkaktuar nga Dardafone.net.

Sot u arrit një fitore e madhe falë këmbënguljes së punëtorëve e qytetarëve në përgjithësi. Por ajo do të jetë e plotë kur Telekomit t’i kthehen fondet e tjetërsuara, prej ekzistencës së kësaj kontrate deri në ditën e sotme. Ne do të jemi këtu për t’u siguruar që kjo të ndodhë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme