VV: Thaçi po zvarrit emërimin e anëtarëve të KQZ-së

Prishtinë | 04 Pri 2018 | 11:55 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se procesi i emërimit të anëtarëve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve  është duke u zvarritur qëllimshëm nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Në një konferencë për medie, deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Sami Kurteshi dhe përfaqësuesi i saj në KQZ, Adnan Rrustemi, kanë apeluar që sa më parë të zhbllokohet funksionimi i komisionit të zgjedhjeve në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Zgjedhje, raporton Ekonomia Online.

Kurteshi ka thënë se Thaçi po u shmanget obligimeve kushtetuese.

“Presidenti po e bën këtë ikje nga obligimet kushtetuese. Synimi i tij është privatizimi i plotë i shtetit. Në vend se të merret me obligimet kushtetuese, ai merret me shpifje, kërcënime e likuidime të kundërshtarëve të tij politikë. Ai e ka kapur sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar Kurteshi.

Tutje, ai ka thënë se veprimet e presidentit Thaçi janë për t’i ikur përgjegjësisë për demarkacionin, deportimin e shtetasve turq, përpjekjet e krijimit të asociacionit.

“Këto veprime kriminale të Thaçit janë për t’i ikur përgjegjësisë së ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e zi, përpjekja për krijimin e ‘Zajednicës’, bisedimet e fshehta me Serbinë, deportimin e shtetasve turq”, ka shtuar ai.

Ndërsa, Adnan Rrustemi ka deklaruar se Presidenca e kishte arsyetuar mos-emërimin e anëtarëve të bordit me shpalljen e zgjedhjeve.

“Krejt çka ka bërë presidenti është një shkresë drejtuar kryetarit të Kuvendit. Por, ju përket subjekteve politike të bëjnë emërimet e jo kryetarit të Kuvendit”.

Ai ka thënë se presidenti duhet të kërkojë nga grupet parlamentare që të bëjnë propozimet.

“Presidenti duhet të kërkojë nga 3 grupet parlamentare që të bëjnë propozimet. Vetëvendosje do të bëjë nominimin e 2 anëtarëve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.”, ka shtuar Rrustemi.

Të ngjashme