Xhafer Gashi kalon në LDK

Prishtinë | 24 Shk 2022 | 19:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka aderuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë Gashi me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’, duke njoftuar edhe përkrahjen e mbështetësve të LDK-së në garat e zgjedhjeve komunale në tri mandate.

“Një vendim i tillë, vjen pas konsultimeve dhe bashkëbisedimit të vazhdueshëm brenda strukturave tona dhe bashkimi në një parti si Lidhja Demokratike e Kosovës, vjen si rezultat i përkrahjes së shumicës së elektoratit të kësaj partie për të tri (3) garat radhazi në zgjedhje lokale si dhe bazuar në parimin e besimit dhe vizionit të përbashkët për realizimin e projekteve madhore për qytetin e Obiliqit”, thuhet në postimin e tij.

Postimi i plotë:

Bashkëqytetarë të nderuar,

Të nderuar bashkëpuntorë, aktivistë, kolegë e familjar

Fillimisht me lejoni të falënderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët e Obiliqit, për besimin e dhënë që të vazhdojmë qeverisjen e mirë edhe për një mandat qeverisës katërvjeçar (4), falënderoj dhe shprehi mirënjohjen time për të gjitha strukturat e Inciativës Qytetare për Obiliq; anëtarët e Këshillit Drejtues, anëtarët e kryesisë qendrore, anëtarët e kryesitë e degëve, rininë e Iniciativës, grupin e grave, aktivistët e qytetarët e shumtë, të cilët ju bashkuan një Iniciative të re dhe fal angazhimin e punës së madhe, arritëm që kjo Iniciativë të dal fituese në një garë me të gjitha subjektet tjera politike.

Komuna e Obiliqit, ka para vetes sfida e projekte të rëndësishme, e të cilat kërkojnë përkrahjen e nivelit qendror, duke u ndodhur në një situatë të tillë dhe duke përcjellur me vëmendje të plotë zhvillimet politike, bashkëbisedimit dhe kërkesën e elektoratit e përkrahësve, Këshilli Drejtues i Iniciativës Qytetare për Obiliq dhe unë si Kryetar i Iniciativës Qytetare për Obiliq morëm këtë vendim:

-Pushimi i aktivitetit politikë të strukturave të Iniciativës Qytetare për Obiliq dhe kalimi i këtyre strukturave në procesin e reformimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës dega në Obiliq.

Një vendim i tillë, vjen pas konsultimeve dhe bashkëbisedimit të vazhdueshëm brenda strukturave tona dhe bashkimi në një parti si Lidhja Demokratike e Kosovës, vjen si rezultat i përkrahjes së shumicës së elektoratit të kësaj partie për të tri (3) garat radhazi në zgjedhje lokale si dhe bazuar në parimin e besimit dhe vizionit të përbashkët për realizimin e projekteve madhore për qytetin e Obiliqit.

Bashkëqytetarë të nderuar,

Ju garantoj se rrugëtimi ynë është i qartë, do vazhdojmë me seriozitet të plotë, me angazhim e përkushtim të përbashkët realizimin e platformës tonë qeverisëse #Bashkë, ashtu sikur deri më tani; projektet bashkë do t’i zgjedhim, bashkë do t’i mbikëqyrim dhe së bashku do t’i gëzojmë!

Ju falënderoj për mbështetjen e madhe dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm!

Na priftë e mbara! Jemi #Bashkë!

Xhafer Gashi

Të ngjashme