“Xhelal Sveçla u takua me Marko Gjuriqin shkaku i mëditjeve”

Prishtinë | 09 Dhj 2019 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Blerim Latifi i PDK-së ka lënë të nënkuptohet se Xhelal Sveçla i VV-së shkoi në Tiranë për t’u takuar me Marko Gjuriqin, shkaku i mëditjeve.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Latifi ka thënë se po të hiqen plotësisht mëditjet, do të shihet pjesëmarrja e politikanëve të Kosovës në konferenca ‘koti’ siç i ka quajtur ai, si kjo e Tiranës.

“Hiqni mëditjet dhe shikoni pjesëmarrjen e politikanëve tanë në të tilla konferenca të kota, si kjo e Tiranës! Nuk keni me pasë rast me i fotografu. Në Kosovë politika e jashtme kuptohet në terma turistikë, gjerësisht”, ka shkruar Latifi.

Deputetët e Kosovës, krahas pagës bazë që është prej 1488 euro, marrin dhe mëditje për mbledhje e udhëtime jashtë vendit.

Xhelal Sveçla i Vetëvendosjes, Arban Abrashi i LDK-së dhe Ardian Gjini i AAK-së u fotografuan një tavolinë me shefin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë së shtunës. Por Sveçla mori më së shumti reagime duke marrë parasysh se partia e tij ka thënë se “nuk do të ulet në një tavolinë me politikanë serbë”.

E takimi erdhi vetëm pak ditë pasi Gjuriqi e kishte mohuar Masakrën e Reçakut, duke e quajtur “trillim”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme