Ymeri: Asnjëherë s’jemi takuar me Thaçin për dialogun, takimet në Bruksel janë inekzistente

Prishtinë | 05 Gus 2018 | 08:44 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përfaqësues të partisë Socialdemokrate të udhëhequr, nga Shpend Ahmeti asnjëherë nuk janë takuar me presidentin Hashim Thaçi për të diskutuar rreth dialogut Kosovë – Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).

Presidenti, Hashim Thaçi ka deklaruar se është takuar me deputetë të pozitës e opozitës për të diskutuar rreth procesit që po e udhëheq vet, ndonëse nuk e ka përkrahjen.

Nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri, i tha Ekonomia Online se përfaqësuesit e partisë së tij kanë marrë pjesë vetëm në tryezat e organizuara nga partitë e tjera ku është folur edhe për dialogun, por Thaçin nuk e kanë takuar për këtë çështje.

“Jo nuk ka pasur asnjë takim me Presidentin nga deputetët e partisë Socialdemokrate. Ka pasur tryeza të partive politike në të cilën kemi marrë pjesë si dhe ka pasur tryeza të shoqërisë civile me përfaqësues të partive politike në të cilën ka qenë e pranishme partia Socialdemokrate”.

“Të gjitha këto kanë qenë të drejtuara pak a shumë drejt modalitetit të një konsensusi sa i përket dialogut me Serbinë”, tha Ymeri.

Ymeri thotë se askush nuk ka mandat që të diskutoj në këtë fazë që po konsiderohet finale me Serbinë, duke i quajtur jo legjitime dhe inekzistente, takimet e Thaçit me homologun serb Aleksandar Vuçiq.

“Askush nuk ka mandat për dialogun me Serbinë kështu që çfarë do takime, takimet janë jo legjitime sepse nuk janë të mandatuara nga institucionet dhe si jolegjitime ato janë të papranueshme dhe Republika e Kosovës”.

“Duhet t’i konsideroj ato takime si inekzistente pra të mos i pranojë në asnjë mënyrë e asgjë që është fol në to nuk mund të jetë zotim institucional i Republikës së Kosovës sepse askush nuk ka pasur mandat as të flas e lëre më të zotohet për çështje të caktuara”.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tash e sa kohë është duke ftuar partitë opozitare që të iu bashkohen në mënyrë që përmes mocionit të mosbesimit të rrëzojnë qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Sa i përket kësaj çështje, Ymeri, ka thënë se në mes të opozitës, e vetmja PSD-ja ka dorëzuar nënshkrimet e kërkuara për rrëzimin e Qeverisë.

“… as LDK-ja nuk i ka dorëzuar nënshkrimet as Vetëvendosje nuk i ka dorëzuar nënshkrimet, e vetmja është PSD që i ka dhënë nënshkrimet deri tash të paktën. Kur të tjerët kanë shumë fjalë ne kemi vepruar në këtë drejtim”.

Interesante, sipas Ymerit është situata në Kuvendin e Kosovës, në të cilën asnjë nga taborët politike nuk ka 61 vota për të çuar proceset përpara.

Ai iu bëri thirrje LDK-së dhe VV-së që të bëhen bashkë, duke shtuar se kanë disa mundësi më të maëdha se pozita për t’i siguruar rrëzimin e Qeverisë.

“Konsideroj që numerikisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës e kemi një situatë shumë interesante as ne si opozitë tri grupet parlamentare bashkë nuk i kemi 61 deputetë për ta rrëzuar Qeverinë e as Qeveria nuk i ka 61 deputetë për të qenë e sigurt në pozicionin e vet dhe në situatë ne megjithatë i kemi disa mundësi më të mëdha që nuk po i shfrytëzojmë si opozitë”, tha Ymeri për EO.

 

Të ngjashme