Ymeri dënon intervenimin “brutal” ndaj protestuesve

Prishtinë | 28 Gus 2016 | 13:10 | Nga

Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, e ka dënuar intervenimin brutal, sikur e ka cilësuar ai, të Policisë së Kosovës ndaj banorëve të Mushtishtit dhe të Gjakovës, të organizuar në protestë.

Ymeri, nëpërmes një postimi në Facebook, ka thënë se banorët e Mushtishtit dhe të Gjakovës kanë plotësisht të drejtë në shqetësimet që po i ngrenë përmes protestës.

“Kriminelët e luftës të policisë e ushtrisë së Serbisë që vranë, masakruan, dhunuan e shkatërruan jetën e pasurinë e tyre nuk duhet të ecin të lirë nëpër rrugë. Ndërkohë që kthimi i serbëve të Kosovës për të jetuar në vendin e tyre nuk bën të instrumentalizohet nga Serbia për qëllimet e veta koloniale”.

Sipas Ymerit, serbët e Kosovës duhet të kthehen të jetojnë në vendlindjen e tyre, në pronën e tyre, në fshatin e qytetin e Kosovës ku kanë jetuar më parë. “Kjo është e drejtë universale e mirënjohur ndërkombëtarisht që secili e gëzon pa dallim kombësie a feje. Këtu nuk ka dyshim. Por duhet të shihet se kur e kanë fituar këtë pronë dhe si. A është kjo pronësi rezultat i kolonizimit, apo është përfituar pa ndërhyrje koloniale”.

“Ne as nuk kemi pasur e as nuk kemi problem me serbët, por kemi pasur e kemi problem me Serbinë. Ky kthim i serbëve nuk bën të udhëhiqet nga Serbia, dhe nën kushtet e saj. Banorët e Mushtishtit janë të shqetësuar se kthimi i serbëve në pjesë të caktuara të fshatit ka për qëllim ndarjen e një pjese të Mushtishtit për ta zgjeruar kështu kufirin e ‘Zajednicës’”.

“Ngjashëm me kërkesën për komunë të Prilluzhës. Serbia do t’i kthejë serbët aty ku i leverdis planeve koloniale të saj, për t’i shndërruar kështu të kthyerit në instrument politik që ia gërmon bazën Republikës së Kosovës. Serbët duhet të kthehen si qytetarë të barabartë e lojalë ndaj Republikës e jo si subjekte të strukturave paralele të ‘Zajednicës’”, thekson Ymeri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme