Ymeri i gëzohet lirimit të Kurtit

Prishtinë | 29 Dhj 2017 | 14:17 | Nga

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka mirëpritur lirimin nga paraburgimit të dy deputetëve, Albin Kurti e Donika Kadaj Bujupi.

Ai në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se është mirë që këta dy deputetë janë liruar, derisa nuk ka lënë pa përmendur edhe aktivistët e dënuar me burg të VV-së.

Ja postimi i plotë i Ymerit:

Albinit dhe Donikës, Kalludra ua ndërpreu paraburgimin e padrejtë e tërësisht të panevojshëm.

Është shumë mirë që nuk do të mbahen më në burg. Por përndjekja ndaj tyre nuk ka përfunduar. Procesi ndaj Albinit, Donikës, Albulenës e Fatonit po vazhdon. Më 3 janar të vitit të ardhshëm do të shqiptohet vendimi i trupit gjykues ndaj tyre, i prirë nga Beqir Kalludra.

Ky gjykatës po i gjykon deputetët e Kuvendit të Republikës sepse këta ia mbrojtën sovranitetin e territorin kësaj Republike! Ia mbrojtën asaj kushtetuetshmërinë të cilën synonte ta përmbys Vuçiqi përmes Thaçit e Mustafës. Praktikisht Kalludra po thotë se kushtetueshmëria e Republikës nuk është e rëndësishme – ankesat e disa prej eksponentëve të pushtetit që e ka kap shtetin janë ligji në Kosovë!

Gjykimi është politik. Kështu ai nuk mund të jetë i drejtë. Kur nuk është i drejtë është i padrejtë. E gjykata që shqipton padrejtësi nuk mund të jetë gjykatë.

Të mos harrojmë se e njëjta i dënoi Frashërin, Atdheun, Egzonin dhe Adean pa asnjë provë përmes një vendimi skandaloz gjyqësor. Pra kjo gjykatë e ky gjykatës e kanë dëshmuar tashmë se shqiptimin e padrejtësisë e kanë punë të zakonshme.

Deputetët duhen liruar menjëherë nga ky proces i padrejtë.

Aktivistët e dënuar duhen liruar menjëherë nga përndjekja që po u bëhet.

“Padrejtësia kudo është kërcënim për drejtësinë çdokund.” – Martin Luther King.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme