Ymeri i kërkon Haradinajt që të marrë vendim për rritjen e pagës minimale

Prishtinë | 17 Pri 2019 | 11:15 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate po mbahet interpelanca me kryeministrin Ramush Haradinaj mbi pagën minimale, raporton Ekonomia Online.

Visar Ymeri në emër të iniciuesit të kësaj interpelance tha se propozimet e PSD-së janë që të ketë pagë minimale për të gjithë punëtorët pavarësisht moshës dhe gjinisë dhe që urgjentisht të rritet paga minimale.

“Kjo kërkesë për ta diskutuar pagën minimale dhe gjendjen e punëtorëve është shtruar më 4 shkurt dhe prej atëherë është në pritje. Kanë kaluar 72 ditë prej që është dorëzuar kërkesa. Duket që për institucionet e Kosovës kjo mund të mos jetë e ngutshme. Nuk po e bazoj këtë vetëm në 72 ditshin, por po e bazoj në 8 vjet e më shumë se 100 ditë që institucionet kanë marrë vendim për pagën minimale. Atëherë kur paga minimale ishte vendosur të ndahet në dy kategori. Punëtori në Kosovë nuk është vetëm i varfër, ai është edhe i harruar nga shoqëria. Prej vitit 2011 në Kosovë ka pasur rritje ekonomike edhe të pasurisë kurse paga minimale ka mbetur e njëjtë. Rrija e pagës minimale në 250 euro është masa e parë urgjente. Qeveritë në vazhdimësi i kanë neglizhuar kërkesat e sindikatave. Ligji i punës nuk parasheh kurrfarë mekanizmi për pagat”, tha Ymeri, raporton EO.

Ymeri tha se rritja duhet t’i përfshijë të gjithë të punësuarit, pavarësisht moshës dhe gjinisë.

“Kjo rritje duhet t’i përfshijë të gjithë të punësuarit. PSD-ja parasheh që të ketë pagë minimale për të gjithë pavarësisht moshës a gjinisë që i takon. Rritja e pagës minimale ka rol të rëndësishëm në sektorin privat. Niveli i ulët i pagës së ulët i godet veçanërisht gratë. Gjendja më e rëndës sa i përket nivelit te gratë është më shumë te sektori privat. Sa i përket moshës, janë të diskriminuar”, tha ai.

“…Deri sot në Kosovë është folur për pagën minimale. Ne duhet të kalojmë nga koncepti i pagës minimale te paga për të jetuar. Punëtorët që paguhen me pagë për të jetuar duhet të jenë pjesë e integruar në shoqëri. PSD-ja propozon që paga për të jetuar urgjentisht të ngritët në 250 euro. Të drejtën në pagë për të jetuar duhet ta ketë çdo kush mbi moshën 18 vjeç”.

Të ngjashme