Ymeri kritikon Kurtin për rishkrimin e vendimeve: Mirëqeverisja s’arrihet duke e fshirë historinë

Prishtinë | 05 Shk 2021 | 15:30 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka komentuar deklaratën e Albin Kurtit, i cili tha se sapo të vijnë në krye të ekzekutivit do t’i shfuqizojnë vendimet e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hotit, duke thënë se një mirëqeverisje nuk mund të arrihet duke e fshirë historinë, raporton Ekonomia Online.

Ymeri në një intervistë për Ekonomia Online tha se duhet të vlerësohen vendimet e qeverisë së kaluar në mënyrë që të përmirësohen por jo të hidhet poshtë e gjithë puna e institucioneve.

Tutje, ai shtoi se Qeveria e re e Kosovës nuk duhet të niset me mentalitetin ku ankohen për dëmet e qeverisjes së kaluar, por të fokusohen në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

 “Nëse e ka menduar ndryshe e ka gabim, natyrisht se Qeveria që vjen dhe nëse vjen qeveria Kurti si kryeministër do t’i vlerësoj dhe duhet t’i vlerësoj vendimet e Qeverisë së kaluar në mënyrë që t’i përmirësojnë ato që janë për t’u përmirësuar e jo që të përdorë këtë si lloj fshirje të krejt punës së Qeverisë për shkak të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese që tha se kjo Qeveri nuk i ka pasur votat e mjaftueshme pra nuk është dashur të votohet në Kuvend. Sepse edhe Gjykata Kushtetuese ishte shumë e kujdesshme në këtë drejtim ku tha se megjithatë vendimet e Qeverisë nuk mund të konsiderohen si të tilla vetëm se ka qenë e votuar nga një minus deputet”, tha Ymeri për EO.

“Kështu që në këtë drejtim një diskurs i tillë për mendimin tim ka më shumë qëllim me efekt elektoral sesa që vërtet tregon për mirëqeverisjen në të ardhmen sepse mirëqeverisja nuk është as e mundur e as e bëshme me fshi historinë. Një qeverisje është qeverisje për të ardhmen nuk mund të jetë korrigjim i së kaluarës, kështu që në këtë drejtim konsideroj që do të kishte qenë mirë që Vetëvendosja meqë duket se do të jetë partia ma e madhe në këto zgjedhje, fillojë të  mendoj  se si do ta përmirësoj jetën e qytetarëve në të ardhmen e jo që të përfundoj në një qeverisje ku vazhdimisht ankohet për dëmet e së kaluarës sepse ato po i dimë”, shtoi ai.

Të ngjashme