Ymeri: Policia po shpërfaq pabarazi, arrestimet janë veç përmbyllje e këtij qarku

Prishtinë | 12 Jan 2021 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-deputeti Visar Ymeri ka reaguar ndaj heshtjes që Policia e Kosovës po e bën ndaj tubimeve të partive politike që po i shkelin masat kundër përhapjes së koronavirusit, duke e kritikuar këtë institucion për padrejtësi e pabarazi.

Ymeri tha se pushtetarët po gëzojnë më shumë të drejta, shkruan Gazeta Express.

“Gjobitja e qytetarëve për shkelje të masave, atëherë kur partitë lejohen të papenguara t’i shkelin të njëjtat masa, përtej padrejtësisë, shpërfaq në mënyrë të kulluar pabarazinë. Ata që kanë më shumë (në këtë rast pushtet), gëzojnë më shumë të drejta. Në rrethana të pabarazisë shoqërore, e njëjta ndodh edhe me ata që kanë më shumë para, e me të cilën blejnë më shumë pushtet, e me të cilin gëzojnë më shumë të drejta”, shrkoi Ymeri.

Ai tha se kjo duhet kundërshtuar e luftuar, ndërsa tha se arrestimi i Dardan Molliqajt dhe aktivistëve tjerë të PSD-së për një aksion protestues te stacioni policor në qendër të Prishtinës veçse e përmbyll qarkun e pabarazisë.

“Kjo pabarazi duhet kundërshtuar e luftuar. Dhe kjo është në kundërshtim me vullnetin e pushtetit dhe të pushtetshmëve. Prandaj ata që kundërshtojnë arrestohen. Kjo është e papranueshme në vete. Por, arrestimi nuk bën gjë tjetër përveç se e përmbyll qarkun e pabarazisë. Dhe këtu qëndron thelbi: në këtë vorbull shoqëroro-politike pabarazia që po shpërfaqet përmes trajtimit të pabarabartë të njerëzve në raport me të drejtat që i gëzojnë, është dhe duhet të jetë e kundërshtueshme. Edhe atëherë kur nuk rezulton me arrestime të aktivistëve”, shkroi Ymeri.

Ai në fund e ka përshkruar funksionimin e “zingjirit të pabarazisë”, që sipas tij, po ia humbë kuptimin masave kundër përhapjes së koronavirusit.

“Drejtësia selektive është padrejtësi dhe pabarazi. Së pari masat që çdo ditë e më shumë po humbin kuptim. Pastaj zbatimi selektiv i tyre. Gjobitja e qytetarëve që janë zënë jashtë pas orës 20.00 dhe jashtë tubimeve partiake. Dhe në fund arrestimi i atyre që e kundërshtojnë zbatimin selektiv. Kështu funksionon zinxhiri i pabarazisë”, shkroi Ymeri.

Të ngjashme