Ymeri: Pozicionimi i Serbisë përkrah Rusisë avantazh për Kosovën, të shfrytëzohet për dialog e integrim

Prishtinë | 05 Mar 2022 | 08:47 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në avancimin e marrëdhënieve me shtete mosnjohëse të BE-së dhe ShBA-në sa i përket liberalizimit të vizave.

Sipas tij, përveç heqjes së vizave për kosovarët njohja nga pesë vendet e BE-së do të ishte siguri për rajonin sidomos pas luftës në Ukrainë.

“Një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme në të cilën do të duhej të fokusohej Kosova pra nëse është e mundur në këto rrethana është që t’i mirëmbajë, avancojë, dinamizojë marrëdhëniet dhe kontaktet që i ka me shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian dhe kështu edhe me vendet që na kanë njohur, veçanërisht  Shtete e Bashkuara të Amerikës, por edhe vendet anëtare të BE-së të kërkojë nga to që të intensifikohet kërkesa ndaj Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros që t’a njohin Kosovën dhe kjo të shihet edhe në dritën e brishtësisë së sigurisë në rajon”.

“…njohja e Republikës së Kosovës do t’a rietablonte një nivel të ri të sigurisë në rajon dhe mendojë se kjo për çdo herë e më shumë po bëhet edhe në interes të BE-së të cilët për çdo herë e më shumë po ndihen të kërcënuar, rrezikuar nga mësymja e Putinit dhe Rusisë”.

Ndërsa, Ymeri theksoi se lufta që po zhvillohet në Ukrainë mund të shtyjë procesin e dialogut edhe më tutje.

Ish-kreu i VV-së, thotë se pozicionimi eventual i Serbisë me Rusinë e kundër perëndimit do të ishte në avantazh të Kosovës, madje ai pphon se kjo duhet të shfrytëzohet sa i përket avancimit në dialog e integrim, raporton EO.

“Kam frikën që tashmë me problemet në Ukrainë ky proces mund të shtyhet edhe më tej meqë fokusimi ndërkombëtar nuk duket të jetë njëherë për njëherë në rajonin tonë edhe pse ka disa paralajmërime nga vende të ndryshme që rajoni jonë është një prej këtyre pikave me siguri të brishtë që vlerësohet edhe nga Brukseli edhe nga Uashingtoni për shkak që Rusia e ka këtu”.

“Nëse një gjë e tillë e mirëmbajnë si të vërtetë politike qendrat e vendimmarrjes mendojë që kjo do t’i konvenojë Kosovës sepse do të kishte një interesim të shtuar për sa i përket rajonit dhe natyrisht që pozicionimi eventual i Serbisë me Putinin e kundër perëndimit do të ishte një e mirë jashtëzakonisht e madhe për Republikën e Kosovës sepse do të na e kthente primatin pastaj të avancuarit në procesin e dialogut”.

“Shenjat e para nga Beogradi janë që më shumë do t’a përkrahin Putinin sesa Perëndimin, dhe mendoj që këtë moment duhet t’a shfrytëzojmë ne edhe Qeveria e Republikës së Kosovës në mënyrë që ta etablojë të vërtetën e vet edhe për procesin e dialogut, edhe në përgjithësi për integrimet dhe bashkëpunimin rajonal”.

Të ngjashme