VV: “Zajednica” është projekt i vdekur falë kundërshtimit qytetar

Prishtinë | 25 Gus 2016 | 15:16 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se ndalimi i “Zajednicës” dhe demarkacioni me Malin e Zi është bërë falë kundërshtimit të popullit në protestat e më hershme të organizuar nga opozita e bashkuar.

VV përmes një komunikatë për medie kanë thënë se në fundin e gushtit të vitit të kaluar, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, sipas tyre ia kurdisën Kosovës dy dëme shumë të mëdha; marrëveshjen për themelimin e “Zajednicës” dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi, që parasheh humbje të territorit të Kosovës.

“Qeveria kishte në plan që t’i bënte fakt të kryer këto marrëveshje deri në dhjetor të vitit të shkuar por ato as sot nuk janë realizuar. Ato janë të parealizueshme. Sot një vit, Kosovës i kanosej themelimi i Zajednicës. Por një vit më vonë, pamundësimi i themelimit të saj është dëshmuar si triumf i organizimit dhe vendosmërisë qytetare”, thuhet në komunikatë.

“Nënshkrimit të Isa Mustafës iu kundërvunë 205 mijë nënshkrime të qytetarëve të Republikës. Të gjithë ata, nënshkruan edhe kundër marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, të nënshkruar në Vjenë nga Hashim Thaçi. Dhjetëra protesta e qindra arrestime bënë që qeveria të dorëzohet. Atë që Mustafa dhe Thaçi e kishin parashikuar si fat për Kosovën, qytetarët e saj e ndalën sepse e cilësuan si fatkeqësi për vendin dhe të ardhmen e secilit. Ato që planifikonte t’i realizonte për dy – tre muaj, Qeveria nuk arriti t’i përfundojë as për 12 muaj”.

Pavarësisht se nënshkruesit duan ta kthejnë e ta ngjallin këtë projekt, VV thekson se “Zajednica” është projekt i vdekur falë kundërshtimit qytetar.

“E njëjta do të ndodhë edhe me marrëveshjen për demarkacionin. Më 1 shtator përgjigjia për demarkacion jepet në shesh. Aty tregohet vullneti dhe fitorja do të jetë e qytetarëve”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme