Zëdhënësi i Grenellit: Kosova dhe Serbia të mos e humbin shansin për marrëveshje gjithëpërfshirëse

Prishtinë | 15 Shk 2020 | 12:32 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i emisarit të Trump-it për dialogun Kosovë-Serbi, Dick Custin, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express ka thënë se tashmë Kosova dhe Serbia kanë një shans për të shkuar drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe se Prishtina e Beogradi nuk duhet ta humbin një mundësi të tillë.

Përfaqësuesi Special Presidencial i SHBA’së për dialogun, Richard Grenell, brenda një periudhe të shkurtër prej 4 muajve i ka shtyrë përpara Kosovën dhe Serbinë drejt arritjes së tri marrëveshjeve ekonomike. Pas 21 vjetëve do të rikthehet linja ajrore Prishtinë-Beograd, ndërkohë do të rikthehen lidhjet mes dy shteteve edhe përmes një hekurudhe dhe një autostrade.

Këtë përkushtim të Uashingtonit e ka vlerësuar lart presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka qenë i pranishëm bashkë me presidentin serb, Aleksander Vuçiq, në Mynih, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të dy marrëveshjeve të radhës Kosovë-Serbi për hekurudhën dhe autostradën.

Sipas kreut të shtetit të Kosovës, duhet shfrytëzuar ky momentum dhe interes i SHBA’së, duke shprehur pritjet e tij për mundësinë që të arrihet një marrëveshje finale gjatë këtij viti.

“Dua të shpresoj që ky vit mund të jetë viti që definitivisht mund të arrihet marrëveshja paqësore mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Mendoj që ka vullnet që të diskutohet kjo mundësi edhe në Prishtinë edhe në Beograd. Por këtë rast të një fokusi të jashtëzakonshëm të presidentit Trump dhe administratës së SHBA’së duhet ta shfrytëzojmë dhe ta ruajmë, në mënyrë që të mos humbasim dekada derisa ta rikthejmë edhe një herë këtë vëmendje dhe interesim të sinqertë dhe shumë të vendosur të lidershipit të presidentit Trump dhe administratës së SHBA’së. Sepse nëse mbesim me adresë kah Brukseli rreth këtij procesi, atëherë do të humbim jo vite, por dekada dhe do të mbesim një vend i izoluar. Por dua të shpresoj që do të jetë një proces i koordinuar mes Uashingtonit dhe Bashkimit Evropian”, ka deklaruar sot Hashim Thaçi.

E se Kosova e Serbia nuk duhet ta shpërdorojnë këtë shans për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse e thotë edhe zëdhënësi i emisarit Richard Grenell, Dick Custin, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express.

“Ky është një shans për Serbinë dhe Kosovën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Dy shtetet nuk duhet ta humbin këtë shans”, ka thënë Custin për Gazetën Express.

Ai ka thënë se ambasadori Grenell është duke punuar ngushtë dhe se ka pajtueshmëri të plotë me Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

“Përfaqësuesi Special i Sekretarit për Ballkanin Perëndimor është duke bashkëpunuar ngushtë me ambasadorin Grenell, dhe ata janë duke punuar absolutisht duke pasur një pajtueshmëri të plotë”, ka përfunduar zëdhënësi i Përfaqësuesit Special Presidencial, Dick Custin.

Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, ishte emëruar Përfaqësues Special i Presidentit të SHBA’së, Donald Trump, në tetorin e vitit të kaluar. Gjatë këtij viti, Richard Grenell ka vizituar Prishtinën dhe Beogradin duke kërkuar një rinisje të dialogut për të pasur zhvillim ekonomik, krijim të vendeve të punës dhe investime të huaja.

Grenell është duke kërkuar në mënyrë të prerë nga institucionet e Republikës së Kosovës që ta heqin taksën 100 për qind ndaj Serbisë, e ka kundërshtuar masën e reciprocitetit, të propozuar nga kryeministri Albin Kurti, ndërkohë i ka kërkuar Serbisë që ta ndalë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme